Demarkacioni rikthen gazin lotsjellës në Kuvend

Kryeministri Isa Mustafa paralajmëroi se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, parashihet të hyjë në agjendë të Kuvendit në muajin mars të këtij viti.

Reagimet kundër të partive në opozitë nuk vonuan as në orët e vona të natës, ndërsa me demarkacionin pritet që në Kuvend të rikthehet edhe gazi lotsjellës.

“Nuk ka argument më të fortë sesa ta dimë se sa është territori i Republikës së Kosovës pas gushtit të vitit 2015 dhe sa ka qenë deri më 25 gusht të vitit 2015 dhe para nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi”, tha Mustafa.

Thirrje që marrëveshja të kalojë kësaj radhe në Kuvend ka dërguar shpesh edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili përsëriti disa herë se liberalizimi i vizave tashmë është në duart e deputetëve të Kuvendit, dhe se demarkacioni mbetet i vetmi kusht për ta nxjerrë Kosovën nga bllokada për lëvizje të lirë.

Por, reagimet e partive në opozitë treguan se qëndrimi i tyre i vjetër, mbetet në fuqi. E që demarkacioni do të bllokohet dhe të mos lejohet të kalojë në Parlament “as kësaj radhe dhe së paku jo në këtë formë”.

Menjëherë, reagoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka deklaruar se i qëndron ende prapa kërkesës që kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero.

“Tentimin e qeverisë që ta imponojë prapë këtë version të dëmshëm për shtetësinë e Kosovës nuk do ta presim duarkryq, por një përpjekje e tillë do të hasë prapë në rezistencën tonë të fuqishme”, tha ndër të tjera, zyrtari për informim në Vetëvendosje, Shkodran Hoti, duke shtuar se versionin aktual të demarkacionit nuk e kanë pranuar as 205 mijë qytetarët të cilët kishin nënshkruar peticionin kundër demarkacionit.

Qëndrime të palëkundura rreth kësaj çështje kanë shprehur edhe dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, dhe e Nismës Valdete Bajrami, poashtu kanë apeluar te deputetët që mos ta votojnë këtë version të demarkacionit, duke shtuar se me këtë marrëveshje Kosova i humb mbi tetë mijë hektarë territor.

Një qëndrim të pandryshueshëm dhe të përsëritur ka edhe Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti i cili e kishte quajtur demarkacionin ‘marrëveshje të vdekur’ para pak ditësh, duke shtuar se ‘nuk e lejojmë ringjalljen e saj’, duke mos mohuar rikthimin e lotsjellësit në Kuvend.

Ndryshe, demarkacioni me Malin e Zi, mbetet një nga çështjet e vetme që kushtëzon liberalizimin e vizave për Kosovën. Pro demarkacionit ka apeluar të votohet edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe diplomatë të tjerë të vendeve të Quintit bashkë me zyrarë të lartë të Bashkimit Europian, shkruan gazeta metro.

Duket qartë se përpos agjendës që demarkacioni të votohet në mars, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar në qëndrimet rreth tij. Së paku jo te partitë në opozitë, përveç nëse deputetë të koalicionit qeveritar nga PDK dhe LDK, kanë filluar të ndryshojnë mendje, për kalimin e demarkacionit në mars.

Megjithëkëtë, rikthimi i demarkacionit në Kuvend, bën të kuptohet se lehtë mund të rikthehet edhe dhuna dhe gazi lotësjellës bashkë me të.