Ballina Lajmet Kosovë Demarkacioni në përputhje me vendimin e GJND-së

Demarkacioni në përputhje me vendimin e GJND-së

ipas zyrtarëve qeveritarë, përveç argumenteve ligjore, hartografike, shkencore dhe normative, procesi i shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi është në përputhje edhe me hartat dhe dokumentet e dorëzuara në GJND, me rastin nxjerrjes së opinionit këshillëdhënës për shqyrtimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë. Ky proces, ka marrë në konsideratë edhe çështjen e territorit të Kosovës, mbi të cilën është shpallur pavarësia më 17 shkurt 2008

Në librin zyrtar të Kosovës, me titull “Kosovo in the Internaional Court of Justice”, të botuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 2010, janë publikuar të gjitha dokumentet dhe materialet origjinale të trajtuara me rastin e marrjes së vendimit të GJND-së, shkruan Telegrafi.

Delegacioni i Kosovës në GJND, në kuadër të ofrimit të argumenteve dhe faktografisë, i ka bashkëngjitur edhe dy harta, Hartën e Republikës së Kosovës si dhe Hartën demografike të Kosovës.

Lexo po ashtu:
Thaçi: Votojeni demarkacionin, mos i dëgjoni pretendimet e rreme të akterëve politikë!
Thaçi: Votojeni demarkacionin, mos i dëgjoni pretendimet e rreme të akterëve politikë!
Në kapitullin II, pika II të këtij botimi, në faqe 105 flitet për Territorin e Kosovës dhe dokumentet që janë trajtuar për këtë aspektet nga GJND.

Aty përshkruhet territori i Kosovës duke iu referuar sipërfaqes (që këtu figuron si 10.887 km katrorë) dhe thuhet se “Ajo (Kosova) ka kufij të mirë përcaktuar me të gjithë katër fqinjët e saj: Maqedoninë (në Jug); Shqipërinë (në Jug dhe në Perëndim); me Malin e Zi (në veriperëndim); dhe me Serbinë (në veri dhe në lindje)”.

Në rast se do të merreshin si të mirëqena pretendimet për 8200 hektarë të tjerë, territori i përcaktuar në këtë botim nuk do të ishte 10.887 por do të ishte rreth 10.970 km katrorë.

Ky argument i shkon për shtati edhe qëndrimeve të Komisionit Shtetëror, i cili vetëm ka bërë shënjimin e vijës kufitare, “duke pas parasysh se ai është i mirë përcaktuar”, siç thuhet në këtë tekst.

Më tutje, në tekst po ashtu citohet taksativisht Plani Ahtisaari, sipas të cilit “Territori i Kosovës do të definohet nga vijat kufitare të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në kuadër të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, siç kanë qenë vijat kufitare më 31 dhjetor 2008, me përjashtim të amendimeve të bëra me marrëveshjen për demarkimin e kufirit ndërmjet Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, më 23 shkurt 2001”.

Në Qeverinë e Kosovës, thonë se baza ligjore e paraparë në Kushtetutë, dhe e reflektuar edhe në dokumentet e dorëzuara me rastin e procesit në GJND, është marrë parasysh nga Komisioni shtetëror gjatë shënimit të kufirit me Malin e Zi.

Ndërkaq, sipas tyre, personat që pretendojnë të kundërtën e kanë shpërfillur totalisht, duke u shërbyer me harta që janë jashtë çdo baze ligjor për kryerjen e këtij procesi.

“Të gjitha këto argumente dëshmojnë se procesi i shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i përkrahur nga institucionet shtetërore, nga SHBA-të dhe partnerët tjerë europerëndimor, nuk i humb Kosovës asnjë metër katror, dhe se njohja e Kosovës nga shtetet e deritashme është bërë mbi këtë territor. Është shumë e rëndësishme se procesi i shënjimit të kufirit është në përputhje edhe me vendimin afirmativ të GJND-së”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë, për Telegrafin.

Edhe eksperti i çështjeve juridike që lidhen me proceset aktuale, avokati Xhevdet Shala, thekson se shënjimi i kufirit me Malin e Zi, është në përputhje me dokumente që Kosova i ka dhe kishte në dispozicion, kur janë dorëzuar në GJND.

“Duke qenë se procesi i shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është në përputhje me Deklaratën për shpallje të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Kushtetutën e KSAK, Ligjet e KSAK dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me dokumentet e përdorura kadastrave të formës tekstuale dhe grafike’, tha Shala për Telegrafin.

“Komisioni kishte për detyrë që në bazë të nenit 2 të Ligjit nr. 04/-L-013 për kadastër, të përmbush detyrimet nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit nr.03/l-041 për kufijtë administrativ të komunave, i cili thotë: ‘Kufijtë administrativ të Komunës janë kufijtë administrativ të zonave kadastrale që e përbëjnë territorin e Komunës në pjesën që kufizohet me komunën fqinje ose përputhet me kufijtë administrative shtetëror të Republikës së Kosovës’.

Me rastin e shpalljes së pavarësisë, ky proces ishte në përputhje edhe me dokumentet e dorëzuara nga Kosova në shqyrtimin e çështjes së pavarësisë në GJND, i cili rezultoi me opinion pozitiv këshillëdhënës”, tha Shala.

Exit mobile version