Demarkacioni mbetet pas Drenasit

Në mungesë të votave për ta ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, Qeveria për më shumë se një vit e ka lënë këtë marrëveshje në sirtarët e saj. Pushtetarët nuk po bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Ndërsa kohët e fundit, fokusi i partive në pushtet e me theks të veçantë i Partisë Demokratike është gara për kryetar të Drenasit e jo për Demarkacionin

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën përderisa nuk ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Pavarësisht kësaj, drejtuesit e koalicionit qeverisës nuk e kanë në fokusin e agjendës së tyre çështjen e Demarkacionit, por garën elektorale për kryetar të Komunës së Drenasit. Kështu gjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të partive në pushtet e me theks të veçantë të PDK-së janë parë në tubime elektorale.

Zyra e kryeministrit thotë se pret që opozita ose Lista Serbe ta mbështesin Marrëveshjen e Vjenës, ndërsa opozita thotë se koalicioni qeverisës nuk është i interesuar për ta zgjidhur problemin e Demarkacionit.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se Qeveria nuk po e neglizhon çështjen e demarkacionit. Ai ka thënë se presin që opozita ose Lista Serbe të bashkëpunojnë, ndërsa ka theksuar qëndrimin se Qeveria nuk heq dorë nga qëndrimi aktual.