Ballina Arritje Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi, në një kthesë të papritur

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi, në një kthesë të papritur

Nga Myslim Pasha-Kryeministri i Shqipërisë, në konferencën për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkreptiu me lehtësi dhe pa asnjë emocion të veçantë, kur papritmas, ai shtjelloi vijën e Demarkacionit të Malit të Zi me Republikën e Kosovës, në një lëvizje politike asfiksuese për opinionin shqiptar. Ai i tha homologut që të tërhiqet nga pozicioni i tij.

Mesa duket u dha orientimi politik e diplomatik që vija të lundrojë tek koordinatat e gënjeshtërta antikombëtare, që i janë vënë si kusht Kosovës. Kjo ishte e papritura e madhe.

Kur përfytyrohej se gjithçka do t’i lihej në dorë institucioneve studimore, në përqasje e të dy drejtimeve të cilat kundërshtojnë njëri-tjetrin, vjen kjo rrufe e kryeministrit, kur sipas mendimit tonë nuk kanë shteruar mundësitë e tjera. Kësilloj, vija ndarëse kufitare me Malin e Zi bëhet vija zotëruese e fatit të nesërm të Kosovës.

Një vijë e gënjeshtërt, si ajo që është projektuar dhe firmosur, e bën Kosovën të jetë e drejtë. Një vijë e ndryshuar tek gjeopozicionimi i vërtetë shkencor gjeohistorik e bën Kosovën të padrejtë, ndaj i mbyllen dyert për në Evropë. Pra e pret ndëshkimi!

Kosovës pra i është vënë kushti hapësinor për kufirin me Malin e Zi, sikundër Shqipëria e përfytyruar me kusht për Kufrin detar me Greqinë.

Ky është absurdi – gijotinë mbi qafën e kombit, të cilat po dalin sheshit në fillim të shekullit të XXI. Kjo vijë ndarëse, është bërë si ai litari i varur që pret në trekëmbësh, qoftëlarg !

Pavarësisht se në cilën optikë u vështrua dhe u përcaktua, fajtorët janë është brenda vendit… grupi qeveritar vijon të mbetet grup politik, dhe pena e orientimi i tyre shënoi dhe firmosi një akt të pashembullt vetasgjësues, për të çuar në vend amanetet e Ahtisarit, që hapi lirshëm përvijimin e koordinatave pushtuese hartografike të Serbisë së dikurshme dhe të Malit të Zi të sotëm.

Një betejë e ashpër ka ndodhur dhe po ndodh në Kosovë, si në sferën e ndeshjes politike kapitulluese ashtu dhe asaj profesionale dhe studimore, që në një pjesë të saj është ndikuar dhe diktuar.

Bashkësia studimore gjeohartografike, katastrale, historike, e trashëgimisë etnike dhe kulturore në fushë të gjeoshkencave është bërë arenë e fakteve dhe dokumenteve autetentikë për gravitetin e vërtetë të kësaj vije.

Pse vallë të mos të inkurajohej ballafaqimi studimor për të eleminuar instrumentet politikë që përmbysin syresh, fate hapësirash, dinjitete dhe integritete kombëtare që nëpërkëmben !?

Kosova nuk mund të ndëshkohet kësilloj. Ajo nuk mund të shkoj në Evropë ashtu, cung. Bash kjo duhet të ishte hapësira vizatimore dhe pozicionuese e kësaj ndarjeje për ta fshirë me argumente atë vijë vetndëshkuese.

Trysnia ndërkombëtare, edhe pse nuk u përmend nga kryeministri i Shqipërisë, siç duket përmjet tij e ka gjetur shtegun e veprimit realizues të saj. Ngjashmëria e asaj që ndodhi me Paktin Detar me Greqinë, na sjell përfytyrimin e dy pikave uji.

Një binom ku përqaset shpërfillja kokëulje dhe inferioriteti i pranishëm tek Institucionet studimore të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Ajo vijë nuk mund të jetësohet kurrë! Kosova duhet të shkojë drejt vetvetes!/Mesazhi/

Exit mobile version