As demarkacioni e korrupsioni nuk ia heqin Kosovës vizat

Kosova vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, dhe qytetarët e saj mund të lëvizin drejt vendeve të Bashkimit Evropian vetëm pas kompletimit të shumë dokumenteve e pritjeve të gjata për marrje të vizës.

Komisioni Evropian në fillim të muajit maj të vitit 2016 në një raport të tij, propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën me kushtin e ratifikimit të Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi, dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zyrtarët evropianë e thanë në shumë raste se Parlamenti duhet “ta miratojë sa më shpejtë marrëveshjen për demarkacion”, me qëllim të hapjes së mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Ata thanë se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën pa u plotësuar edhe dy kriteret e fundit.

Por, njohës të integrimeve evropiane dhe përfaqësues të organizatave jo qeveritare janë skeptikë se edhe nëse plotësohen këto çështje do të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Njohësi i çështjes së Integrimeve Evropiane Avni Mazrreku, në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se procesi i marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave mbahet nga qëndrimi i shteteve.

“Bashkimi Evropian aktualisht i ka 27 shtete dhe sistemi me të cilin vendos Këshilli i Bashkimit Evropian në konfiguracion me ministrat e brendshëm është sistemi i shumicës së kualifikuar që nënkupton që nga këto shtete duhet 55 për qind të shteteve me qenë të pavarur që këto 55 për qind përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë. Kjo nënkupton se për Kosovën është e mundur të kenë qëndrim të favorshëm, në këtë rast në konfiguracionin e ministrit të punëve të brendshme, mirëpo edhe në qoftë se kjo shumicë arrihet sipas sistemit të shumicës së kualifikuar është e mundur që katër shtete ta përdorin mekanizmin e injorancës bllokuese, ku ky mekanizëm përbëhet nga katër shtete që e përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së BE-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, një lajm i mirë është se 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së BE-së.

“Por aktualisht ne e dimë që dy shtete të fuqishme të BE-së, Franca dhe Gjermania janë në procese elektorale dhe kjo politika e dyerve të hapura nuk është interes elektoral për asnjërin nga faktorët politikë, rrjedhimisht mendoj se as këto dy shtete të mëdha nuk do të jenë në favor të një versioni i cili do ta mbështeste marrjen e një vendimi të shpejtë për liberalizimin vizave për Kosovën. Prandaj përderisa ne kemi të bëjmë me qëndrim të shteteve në lidhje me një vendim të caktuar politik është e pamundur kushdo qoftë, qoftë etnograf i Bashkimit Evropian, qoftë zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës të premtojë data apo afate se kur merret vendimi për vizave, sepse qëndrimi i shteteve nuk mund të prejudikohet pavarësisht dy kushteve që janë sepse kështu e sheh traktati i Lisbonës”, ka thënë Mazrreku.

Ndërsa sipas Artan Muratit, hulumtues i Lartë në KDI dhe profesor i së Drejtës së Bashkimit Evropian, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit do të ishte një hap pozitiv drejt procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, por sipas tij nuk paraqet siguri se Kosovws t’i liberalizohen vizat.

“Ky është një nga dy kriteret formale të parashtruara nga Komisioni Evropian për Kosovën, dhe ratifikimi i demarkacionit automatikisht do ta plotësonte njërin nga këto dy kushte. Megjithatë, vetëm ratifikimi i demarkacionit nuk paraqet siguri se Kosova do të marrë liberalizimin e vizave për zonën Schengen”, ka thënë ai.

Murati ka përmendur edhe kushtin tjetër për liberalizimin e vizave, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ku sipas tij avancimi në këtë drejtim paraqet lajm të mirë për shtetin jo vetëm në aspektin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij Republika e Kosovës duhet të diskutojë me shtetet e BE-së për të siguruar përkrahjen e tyre në këtë proces.

“Plotësimi i dy kushteve formale të mbetura për liberalizimin e vizave padyshim se do të paraqiste një hap shumë pozitiv drejt liberalizimit, dhe do të dërgonte një sinjal të qartë për BE-në. Gjithsesi, vendimi për liberalizim të vizave duhet të përkrahet edhe nga shtetet anëtare të BE-së, andaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që Republika e Kosovës të diskutojë paraprakisht edhe me shtetet e BE-së për të siguruar përkrahjen e tyre në këtë proces”, tha ai.