Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci-Dema ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se po punohet shumë në plotësimin e agjendës së integrimeve evropiane, ndërsa ka përsëritur se liberalizimi i vizave nuk është bërë për shkak të mos përmbushjes së dy kritereve, Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe luftës kundër korrupsionit.
Statovci-Dema ka thënë poashtu se në kuadër të kriterit për luftimin e korrupsionit, Prokuroria Speciale ka bërë punë të mirë duke shënjestruar 34 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe duke ngritur 25 aktakuza e vendosur tre lëndë në shkallë të parë.
Sipas saj, pavarësisht arritjeve, lufta kundër korrupsionit është një luftë e vazhdueshme, njofton Klan Kosova.
Por, me këtë nuk është pajtuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi e cila ka thënë se pavarësisht shifrave të përmendura në luftën kundër korrupsionit, Kosova është akoma në vendin e 95-të në botë për korrupsion.
Zëvendësministrja e Integrimit para Komisionit ka folur edhe për MSA-në duke thënë se deri tani është bërë punë e mirë dhe se janë takuar nënkomitete të ndryshme.
Ajo ka bërë ditur poashtu se në muajin prill, pritet që në Kosovë të vijë komisionieri Johannes Hahn.
Edhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri ka folur lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se janë arritur suksese në fushën e integrimeve pasi janë plotësuar 99 kritere.
Sipas tij, Demarkacioni si kusht duhet plotësuar ani pse sipas tij, është kusht i padrejtë por që është kusht që vjen si rrjedhojë e obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova.