Një delegacion i kryesuar nga zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i Anadolut, Yusuf Özhan, është takuar me zyrtarë të Agjencisë Siriane të Lajmeve (SANA) në kryeqytetin sirian Damask.
Özhan, së bashku me drejtorin e lajmeve globale, Faruk Tokat dhe shoqëruesit e tij, vizituan SANA-n dhe shkëmbyen pikëpamjet me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë siriane, Ziyad Muheymid.
Gjatë takimit, Özhan uroi që epoka e re në Siri të jetë e mbarë për të gjithë. Ai u shpreh i lumtur që ka qenë dëshmitar i shpresave të mëdha që janë ngritur në të gjithë sektorët e shoqërisë dhe punonjësve të medias pas rënies së regjimit Baath.
Duke folur për strukturën ndërkombëtare të Anadolut, Özhan tha se agjencia e lajmeve operon në 137 vende dhe ka zyra dhe qendra transmetimi në 39 vende.
Özhan theksoi se Anadolu është burimi kryesor i referencës ndërkombëtare në zonat e konfliktit dhe se ajo i kushton rëndësi të veçantë operacioneve të lajmeve në Siri, Ukrainë dhe Palestinë.
Duke theksuar se falë rrjetit të Anadolut në Gaza gjenocidi i kryer nga Izraeli u soll para syve të botës me gjithë famën e saj të keqe, Özhan tha se fotografitë e Anadolut u përdorën si provë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ndjekjen penale të Izraelit.
Ai gjithashtu njoftoi se Anadolu përmes Akademisë së Lajmeve të Anadolut ofron program trajnimi të gazetarisë së luftës për gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët që punojnë në zonat e konfliktit, duke kontribuar në aftësitë e kolegëve të tyre për të kryer detyrat në mënyrën më të sigurt dhe më efikase, duke hapur këtë trajnim për gazetarët nga e gjithë bota.
Ai gjithashtu tha se Anadolu do të vazhdojë të forcojë organizatën e saj të lajmeve në të gjithë vendin në epokën e re në Siri.
“Puna e ekipit tonë të lajmeve në Siri do të jetë shumë e rëndësishme për t’i treguar botës zhvillimet reale në Siri. Në këtë kontekst, bashkëpunimi dhe solidariteti ynë me SANA-n janë shumë të vlefshëm për ne”, theksoi Özhan.
“Jo një mik, por një agjenci motër”
Muheymid, drejtori i përgjithshëm i SANA-s, nga ana e tij tha se agjencia vazhdon aktivitetet e saj me 560 punonjës dhe se regjimi i rrëzuar i Bashar Asadit dobësoi infrastrukturën institucionale, por se ata do ta korrigjojnë këtë sa më parë dhe do të vazhdojnë rrugët e tyre me fortësi.
Muheymid konfirmoi angazhimin e tyre për paraqitjen e saktë të agjendës pozitive të Sirisë brenda dhe jashtë vendit, duke shprehur kënaqësinë e tij për nxitjen e një partneriteti të fortë me Anadolun.
“Anadolu Agency nuk është një mik, por një agjenci motër për SANA-n”, tha Muheymid, duke falënderuar Anadolun për punën e saj në Siri.
SANA, theksoi ai, tre vitet e ardhshme planifikon t’i kushtojë rëndësi dokumentimit dhe publikimit të mizorive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi Baath gjatë 61 viteve, me qëllimin e paraqitjes së këtyre provave në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Në përfundim të takimit, Özhan i prezantoi Muheymidit librin e Anadolut “Dëshmia” (The Evidence), i cili detajon krimet e Izraelit në Gaza.