Delawie: Ushtria do të bëhet, por me ndryshime kushtetuese

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se shteti i tij dhe Kosova kanë një lidhje të posaçme.

Ai në Forumin Fol Hapur foli për sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Delawie tha se SHBA-të kanë investuar shumë në ndërtimin e FSK-së deri në këtë stad të profesionalizimit të saj.

Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas ambasadorit amerikan është krijimi i ushtrisë së Kosovës, por që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Krijimi i FAK-ut është qëllim edhe i yni siç është qëllim i kosovarëve. Ky krijim duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe pas konsultimit me të gjitha komunitetet”, ka thënë Delawie, transmeton Telegrafi.

Delawie tha se Qeveria e tij ka qenë e qartë në këtë çështje.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet me përkrahjen e të gjitha komuniteteve dhe se Qeveria duhet ta bëjë këtë në partneritet me SHBA-të.

“Qeveria duhet t’i koordinojë hapat për transformimin e FSK-së me SHBA-të dhe NATO-n. Krijimi i një armate tash vetëm përmes ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar”, tha Delawie.