Delawie takohet me Havollin, i jep përkrahje në luftimin e korrupsionit

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli është takuar sot me ambasadorin amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Gjatë këtij takimi, Havolli e ka njoftuar diplomatin amerikan me prioritetet e Agjencisë dhe sfidat me të cilat po përballet në zhvillimin e politikave anti-korrupsion, ndërsa falënderoi atë për përkrahjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane ka dhënë në fuqizimin e klimës anti-korrupsion në Kosovë, dhe ndihmën që mekanizmat amerikanë u kanë dhënë institucioneve kosovare që janë të mandatuara për zbatimin e ligjit.

Sipas një njoftimi, shefi i AKK-së përmendi angazhimet që është duke i bërë Agjencia në forcimin e politikave kundër korrupsionit, për të siguruar zbatueshmërinë maksimale të kuadrit ligjor.

Nga ana e tij, shtohet më tej, ambasadori Delawie i siguroi mbështetje të pa rezervë në punën e tij dhe angazhimeve në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë, që në fakt janë dy shtyllat kryesore të misionit të Agjencisë.

“Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe garantoi përkrahje për Agjencinë në fuqizimin e politikave anti-korrupsion drejt realizimit me sukses të mandatit të saj”, thuhet në fund të njoftimit.