Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i ka paralajmëruar autoritetet kosovare për pasoja nëse themelojnë Ushtrinë e Kosovës nëpërmjet ligjit.
Delawie ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar gjatë që Kosova të ketë ushtri, por nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe në konsultim me të gjitha komunitetet në Kosovë.
Diplomati amerikan ka thënë se ka qenë i habitur me propozimin e Presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e projektligjit të FSK-së, hap që për më tepër e ka bërë të ndihet i zhgënjyer marrë parasysh të gjithë përkushtimin e ShBA-ve për të ndërtuar kapacitetet aktuale të FSK-së.
Ambasadori amerikan po ashtu ka demantuar deklaratat e fundit të liderëve të Kosovës, Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët kanë thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës është duke ndodhur në koordinim të plotë me partnerët.
“Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”.