Del nga shtrati lumi “Mirusha”, Malisheva në gjendje emergjente të vërshimeve

Po vazhdon të jetë shumë e rëndë situata me përmbytjet në Malishevë.

Komuna me anë të një komunikate për media ka njoftuar se lumi Mirusha ka dalë nga shtrati, mirëpo megjithatë situata është e menaxhueshme, shkruan lajmi.net.

“Gjendja nga reshjet e shumta të shiut dhe borës, është e rënduar por e menaxhueshme, edhe pse lumi Mirusha në disa vende ka dalë nga shtrati. Si pasojë e reshjeve, disa rrugë janë bllokuar, përfshi edhe qytetin, ndërsa qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative. Po ashtu disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim është rruga Malishevë-Kijevë”, thuhet në komunikatën për media.

Komuna ka thënë se të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit, janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar,

“Por luten të gjithë qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim”, thuhet tuitje në njoftim.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës.

Ura në rrugën Malishevë-Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë-Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës.

Probleme ka edhe në rrjetin energjetik.