Deklarohet Veseli: Jam tërësisht i pafajshëm

Kadri Veseli, i njohur si Komandant Luli në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është paraqitur sot në seancën e parë gjyqësore në kuadër të Dhomave të Specilizuara në Hagë.

Në këtë seancë, administratorja e gjykatës ka prezantuar aktakuzat me të cilat ngarkohet Veseli.

Me këtë rast, Kadri Veseli ka deklaruar se tashmë i ka dëgjuar aktakuzat me të cilat ngarkohet.

“I nderuari gjykatës i dëgjova”, tha shkurt Veseli.

Ai gjithashtu tha se i kupton të drejtat të cilat iu paraqitën nga administrata e Dhomave të Specializuara, transmeton lajmi.net

Pas kësaj, Nicolas Guillou, gjyqtari i procedurës deklaroi se brenda 30 ditësh Veseli mund të deklarohet në lidhje me fajësinë apo pafajësinë pas ngritjes së aktakuzave.

Veseli deklaroi se ka lexuar pikat e aktakuzave dhe se është tërësisht i pafajshëm.

“I nderuar gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli