Arabia Saudite dhe Franca kanë shprehur shqetësimin për zhvillimin e programit bërthamor të Iranit.
Një deklaratë e përbashkët me shkrim u hartua në fund të takimit të presidentit francez Emmanuel Macron me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite, ndalesa e fundit në turneun e tij në vendet e Gjirit.
Të dy vendet theksuan nevojën për të kundërshtuar aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon, duke përfshirë përdorimin e raketave balistike dhe dronëve.
Macron tha se Franca është e vendosur të mos lejojë që Irani të zotërojë armë bërthamore ose t’i zhvillojë ato.
Salman dhe Macron thanë se qeveria libaneze duhet të bëjë reforma gjithëpërfshirëse, duke përfshirë financat, energjinë, antikorrupsionin dhe kontrollin kufitar dhe ranë dakord të bashkëpunojnë me Libanin për ta arritur këtë.
Franca dhe Arabia Saudite theksuan se roli i ushtrisë libaneze duhet të forcohet dhe se armët duhet të jenë vetëm në duart e institucioneve legjitime shtetërore.
Sipas deklaratës së përbashkët, që është publikuar në agjencinë e lajmeve të Arabisë Saudite (SPA), u arrit një marrëveshje për krijimin e një mekanizmi ndihme humanitare midis Francës dhe Arabisë Saudite për të lehtësuar vuajtjet e popullit libanez.
Macron e vizitoi Arabinë Saudite të shtunën pas një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar gjatë turneut të tij në vendet e Gjirit. /trt