Deklaratat e Haradinajt për taksën Rama i quan idiotësira, i del në mbrojtje Kurtit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me heqjen e taksës 100 për qind për prodhimet serbe dhe boshnjake nga ana e Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ka thënë se kryeministri i Kosovës është në rrugën e duhur dhe se nuk duhet të frikësohet për heqjen e taksës.

Deklaratat e ish- kryeministrit Ramush Haradinaj se taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia, Rama i ka quajtur idiotësira, përcjell lajmi.net.

Po ashtu, ai ka thënë se, “uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës”.

“Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës,se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!”, ka shkruar Rama

Kujtojmë se kryeministri Kurti, të premten ka premtuar se nga data 15 mars do të filloj heqjen e taksës.