Kuvendi i Kosovës, është duke e përgatitur një deklaratë e cila do t’i dërgohet Brukselit për çështjen e liberalizimit të vizave dhe kriterit për demarkacion me Malin e Zi.
Në takimin e djeshëm mes kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, është arritur ujdia qe Kuvendi bashkërisht të nxjerrë një deklaratë ku do të kërkoj nga Bashkimi Evropian qe qytetarëve të Kosovës, të mos u mohohet lëvizja e lirë si rezultat i mosratifkimit të demarkacionit me Malin e Zi.
‘Indeksonline’, ka siguruar kopjen e një deklaratë, e cila iu është dërguar Grupeve Parlamentare nga ana e kabinetit Veseli.
Në këtë draft deklaratë ndër të tjera thuhet se pavarësisht dallimeve që kanë mbi mënyrën e shënjimit e kufirit mes Kosovës dhe Mali të Zi, koalicioni qeverisës dhe opozita qëndrojnë të bashkuar në qëllimin e tyre që ky proces të përmbyllët sa më shpejtë që është e mundur.
“Duke marrë për bazë këtë konsensus parimor, ne si përfaqësues të popullit, kërkojmë mirëkuptimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që qytetarëve të Kosovës të ju njihet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën shengën.
Ju njoftojmë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave”, thuhet në draft deklaratën e përgatitur nga kabineti i kryetarit Veseli.
Ndërsa, pritet sot gjatë ditës qe partitë ta vlerësojnë dhe t’i japin komentet e tyre përkitazi me këtë draft deklaratë.
Burime të ‘Indeksonline’, bëjnë me dije se sot ose më se largu nesër pritet të ndodhë një tjetër takim mes Veselit dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ku synohet të arrihet ujdia përfundimtare për këtë deklaratë.
Mbetet të shihet nëse propozimet e partive opozitare do të pranohen nga ana e koalicionit qeveritar, kur dihet se opozita vazhdon të kundërshtoj versionin aktual të demarkacionit. Ndërsa, nuk dihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pjesë e kësaj deklaratë pasi dje asnjë përfaqësues i kësaj lëvizje nuk ka qenë pjesë e këtij takimi.