Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë seancës së sotme me propozimin e grupeve parlamentare: PDK, LDK, LVV, LS dhe “6+” aprovoi miratimin e një deklarate që dënon sulmin e kryer ndaj Kuvendit të Kosovës.
Më poshtë po ju sjellim deklaratën zyrtare:
D E K L A R A T Ë
Ne përfaqësuesit e zgjedhur të popullit e dënojmë fuqishëm sulmin kriminal, të kryer mbrëmë, mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike e demokratike që afirmojnë subjektet tona politike.
Kërkojmë nga institucionet e sigurisë që t’i ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë ta zbardhin këtë sulm qyqar, ndërsa kriminelët të vihen para drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe t’i ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal.
Nr. 05-D-002
Prishtinë, 5 gusht 2016
Kryetari i Kuvendit
Kadri VESELI
Deklarata u dërgohet:
– Deputetëve të Kuvendit,
– Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe
– Arkivit të Kuvendit.