Dekada pas katastrofës në Bhopal, India pastron mbetjet toksike të lëna pas

Autoritetet kanë pastruar mbetjet toksike nga qyteti indian Bhopal, katër dekada pas një katastrofe për shkak të rrjedhjes së gazit nga një fabrikë kimike në pronësi amerikane që shkaktoi mijëra vdekje, transmeton Anadolu.

Mbi 377 tonë mbetje të rrezikshme u zhvendosën nga fabrika natën vonë të mërkurën për asgjësimin e tyre në një njësi në rrethin Dhar, thanë zyrtarët civilë.

Drejtori i Departamentit të Ndihmës dhe Rehabilitimit për Tragjedinë e Gazit në Bhopal, Swatantra Kumar Singh, tha për Anadolu se është krijuar një korridor i gjelbër për zhvendosjen dhe se mbetjet kanë arritur në destinacion të enjten në mëngjes.

Sipas Kumar, 12 kamionë me kontejnerë u përdorën për të zhvendosur mbetjet. “Tani asgjësimi përfundimtar do të fillojë së shpejti, i cili do të zgjasë nga tre deri në nëntë muaj”, tha ai.

Sipas zyrtarëve, ata që janë përfshirë në zhvendosjen e mbeturinave, monitorohen edhe nga zyrtarët shëndetësorë.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë në Madhya Pradesh kishte caktuar një afat katërjavor për të zhvendosur mbetjet.

Rrjedhja në natën e 2 dhjetorit 1984 vrau deri në 8.000 njerëz në javët më pas dhe mijëra të tjerë kanë vdekur që atëherë, nga pasojat e asaj që konsiderohet si një nga fatkeqësitë më të këqija industriale të historisë.

Fabrika u mbyll dhe “Union Carbide”, kompania që e kishte drejtuar atë, u përball me një mori çështjesh gjyqësore për neglizhencë.

Vitin e kaluar, “Amnesty International” në raportin e saj tha se 40 vjet pas rrjedhjes së gazit, “të mbijetuarit dhe pasardhësit e tyre ende presin kompensim të drejtë, pastrim të plotë të mjedisit të tyre, ndihmë dhe trajtim adekuat mjekësor, ndëshkim të të gjithë autorëve dhe rehabilitim gjithëpërfshirës ekonomik dhe social”.

“Amnesty International bashkohet me të mbijetuarit dhe aktivistët e Bhopalit për të kërkuar veprime urgjente për të adresuar abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Bhopal nga qeveritë dhe kompanitë njësoj”, tha ai.