Ballina Artikuj Deizmi, besim apo arsyetim? (2) 

Deizmi, besim apo arsyetim? (2) 

Mr. Adnan Shala

“Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, do të duhej ta shpiknim atë.” (Voltaire)
Deizmi është një botëkuptim filozofik dhe fetar që beson në ekzistencën e një Zoti krijues dhe të përsosur, që ka krijuar universin dhe e ka lënë të funksionojë sipas ligjeve natyrore pa ndërhyrje të mëtejshme. Ky sistem thekson përdorimin e arsyes dhe logjikës për ta njohur Zotin dhe për të formuar vlerat morale, duke e mohuar shpalljen e drejtpërdrejtë si burim të besimit. Sipas deizmit, nuk ekziston feja. Zoti, duke mos u përfshirë në çështjet e botës, nuk ka nevojë të flasë me njerëzit. Për rrjedhojë, nuk ka nevojë as për një profet apo një libër të shenjtë për të komunikuar me njerëzit. Në deizëm, të besosh në profetë, libra të shenjtë, shpallje hyjnore, fe, engjëj, mrekulli, botën e përtejme, parajsë dhe ferr, konsiderohet irracionalizëm. Çfarë është e drejtë apo e gabuar mund të kuptohet vetëm përmes arsyes që e ka dhënë Zoti. Po ashtu, ekzistenca e Zotit mund të kuptohet në të njëjtën mënyrë. Pra, themeli i deizmit është besimi në Zot, por mohimi i feve. 
Deizmi në literaturë mund të përkufizohet në mënyra të ndryshme, mirëpo përkufizimi më gjeneral mund të jetë ky: “Deizmi mund ta përshkruajmë si një rrymë filozofike që, duke pranuar ekzistencën, njëshmërinë e Zotit dhe rolin e Tij si shkaku i parë i gjithësisë, mohon profecinë dhe shpalljen hyjnore brenda kuadrit të një koncepti fesë natyrore, të mbështetur vetëm në arsye.”(1) 

Brishtësia e argumenteve deiste 

Deistet për t’i argumentuar pretendimet e tyre zakonisht janë shërbyer me argumentet e teizmit apo fesë për argumentimin e ekzistencës se Zotit. Këto argumente sipas tyre janë racionale, mirëpo e ndalin gjenerimin e atyre argumenteve drejt argumentimit të fesë dhe gjërat qe burojnë nga fetë. Këtu do mundohemi t’i shohim disa argumente të cilat mund të kontestohen dhe të kritikohen. 
Siç e cekëm me lartë deistët besojnë në ekzistencën e një Zoti absolut, të pafund dhe krijues të gjithçkaje. Ky Zot është i gjithëfuqishëm, i gjithëpranishëm dhe i përsosur. Zoti sundon universin me një ligj të pandryshueshëm dhe është një qenie që përfshin gjithçka. Mirëpo ky pretendim është i pasaktë nëse ndalet këtu dhe mund të kritikohet në këtë mënyrë: si mund të jetë Zoti vërtet i plotfuqishëm dhe i ditur nëse nuk ndërhyn në botë. Çështja është se nëse Zoti nuk ka kontroll mbi universin, a është ai vërtet i plotfuqishëm?(2) Pra Zotësia e Zotit vërtetohen në mbarëvajtjen e jetës se universit më gjithë atë që përfshinë atë.
Ndër argumentet e tjera është se deizmi pranon se njeriu ka një kapacitet të kufizuar për të kuptuar pafundësinë e Zotit. Zoti krijoi gjithçka pa ndihmën e materialeve dhe është i lirë në mënyrë absolute, gjë që është mese e saktë, mirëpo ky mendim në vetvete kërkon ekzistencën e shpalljes për ta kuptuar më mirë Zotin dhe atributet e Tij. Racionalizmi i tepruar i deizmit ngre pyetje në lidhje me aftësinë e njeriut për t’i kuptuar dhe interpretuar atributet e Zotit, duke lënë disa aspekte të pa trajtuara. 
Derisa jemi të atributet e Zotit duhet të potencohet se disa nga deistët e thonë se Zoti është i mirë dhe i drejtë. Të gjitha të mirat dhe drejtësitë janë burim i mirësisë së Zotit. Nëse kësaj qasjeje i bëjmë një kritikë racionale dhe teologjike atëherë arrimë në përfundimin se ndarja e Zotit nga ndërhyrja aktive në botë krijon një problem në lidhje me atributet e Tij të mirësisë dhe drejtësisë.(3) Deizmi po ashtu me vete sjell probleme teologjike rreth dijes dhe atributeve të Zotit, si për shembull: A di Zoti gjithçka në botë nëse nuk ndërhyn në të? Nëse nuk ka kontroll mbi universin, a është Zoti vërtet i plotfuqishëm? Përgjigjet e deistëve për këto pyetje janë të vështira. Prandaj, deistët kanë minimizuar diskutimet rreth atributeve të Zotit, duke mos pasur mundësi të flasin për dijen, fuqinë, vullnetin, mëshirën dhe drejtësinë e Zotit.
Si mund t’i kuptojmë atributet e Zoti me kapacitetet tona intelektuale dhe pa ndihmën e relevantes apo pejgamberëve. Edhe nëse njeriu arrin në përfundimin se Zoti ekziston dhe është krijues i këtij universi me kapacitetet e tij intelektuale ai prapë se prapë nuk mund ta njoh qenien e Zotit apo t’i njoh cilësitë dhe atributet e Tij. Nëse Zoti nuk ndërhynë në univers nuk mund të flasim për mirësi të Zotit po ashtu nëse nuk ka një jetë të përtejmë si mund të flasim për atributin e drejtësisë. Nëse Zoti nuk ka ndonjë atribut apo cilësi tjetër përveç se të jetë qenie racionale, atëherë a duhet ndryshuar edhe vetë koncepti për Zotin. 
Deizmi ndër të tjera duhet kritikuar për preferimin e arsyes njerëzore mbi shpalljen hyjnore dhe për përjashtimin e ndjenjave dhe instinkteve njerëzore. Tendencat deistike kanë nxjerrë Zotin jashtë jetës, duke mos pranuar ndërhyrjen e Tij në çdo aspekt të realitetit. Njerëzit që janë të privuar nga ndërhyrja hyjnore përjetojnë kriza të mëdha shpirtërore.(4) 
Përgjatë historisë njerëzore shpesh është tentuar qe instinktet të paraqitën si pjesa e cila duhet shtypur dhe asgjësuar, ndërsa mendja si burim i moralit. Në Greqinë antike, sofistët pretendonin se mendja e njeriut është konstantja me të cilën vlerësohen veprat si të mira apo të këqija. Mirëpo njerëzimi është dëshmitarë se si mendja mund të korruptohet dhe për burim të moralit duhet të jetë diçka e cila i tejkalon kufijtë e mendjes, pra për një autoritet universal që përcakton çfarë është e mirë apo e keqe. Këtë autoritet e gjejmë nëpërmjet fesë dhe të dërguarve të cilët i vendosën kornizat e vlerave morale dhe i mësuan njerëzit se si duhet jetuar në harmoni me qenin e tyre dhe tërësinë e cila i rrethon. Deistët besojnë se Zoti ka krijuar universin, e ka rregulluar atë si një orë dhe më pas e ka lënë të funksionojë vetë. Problemet e së keqes burojnë nga mosrespektimi i ligjeve natyrore nga njeriu, pa nevojën për ndërhyrje hyjnore. Kultivimi i arsyes dhe ligjeve natyrore në deizëm shpesh çon në idhujtari të arsyes.(5) Pra me pak fjalë vendin e Zotit si i adhuruar munda ta e zë mendja apo arsyeja. 
Racionalizmi i tepruar i deizmit është një dobësi e cila duhet trajtuar. Racionalizmi i tepruar rezulton shpesh duke lënë disa probleme të pa trajtuara dhe duke mos adresuar aspekte të rëndësishme të religjionit dhe shpirtit njerëzor. Njeriu nuk është vetëm një qenie racionale, ajo në të njëjtën kohë është edhe një qenie emocionale. Deistët, megjithëse pranojnë që Zoti është i plotfuqishëm dhe i vullnetshëm, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë një qasje të kënaqshme dhe koherente në lidhje me marrëdhënien e Zotit me njeriun. Deizmi, si një fe racionale, mohon çdo lloj misteri për arsye se duhet të mbizotërojë racionalja. Në këtë kuptim, e kritikon aspektin mistik të fesë, duke mohuar shpalljen hyjnore. Shumë shkencëtarë dhe filozofë argumentojnë se është e gabuar të trembesh nga misteret, pasi edhe vetë universi, që është objekt i shkencës, është misterioz. Të quash një gjë misterioze nuk do të thotë se ajo është e pavërtetë.(6) 
Deizmi përveç të metave të cilat i sjell me vete, gjithashtu ndihmoji edhe në përhapjen dhe zhvillimin e ateizmit në mënyrë indirekte. Margjinalizimi i shumë koncepteve fetare nga deizmi, duke përfshirë shpalljen dhe mrekullitë, ka ndihmuar ateizmin të përparojë. Deizmi ka bërë që një pjesë e njerëzve, megjithëse besojnë te Zoti, të mos e reflektojnë këtë besim në jetën e tyre fetare, duke kufizuar realitetet fetare në disa parime morale.(7) Ateizmi përfitoi nga deizmi në shumë fusha të argumentimit. Pra të qenët deist është më afër ateizmit sesa teizmit edhe pse pretendimet e deizmit janë në favor të teizmit.

Konkluzione 

Deizmi siç e pamë me lartë përfaqëson një botëkuptim filozofik dhe fetar që mbështetet në arsyen dhe logjikën për ta njohur Zotin, duke mohuar ndërhyrjet hyjnore, shpalljet dhe mrekullitë. Megjithatë, kjo qasje ka disa dobësi thelbësore. Përqendrimi i tepruar te racionalizmi i deizmit krijon boshllëqe në kuptimin e plotë të Zotit dhe marrëdhënies së tij me njeriun, duke mos dhënë zgjidhje të kënaqshme për çështje si drejtësia hyjnore, atributet e Zotit dhe ndërhyrja e tij në univers edhe pse në shikim të parë duket si një preferencë e mirë intelektuale. Kritikët argumentojnë se kapaciteti i kufizuar intelektual i njeriut e bën të pamundur njohjen e Zotit pa ndihmën e shpalljeve hyjnore apo profetëve. Për më tepër, deizmi shpërfill dimensionet shpirtërore dhe emocionale të njerëzimit, duke e fokusuar gjithçka tek arsyeja dhe duke minimizuar rëndësinë e ndjenjave. Si rezultat, deizmi kontribuoi në përhapjen e ateizmit, pasi refuzimi i feve tradicionale krijoi një hapësirë ku besimi në Zotin nuk reflektohet në jetën fetare të individit.
 _______________________ 
1 Hüsameddin Erdem, “Deizm”, Türkiye Diyanet Vakfı İslam Ansiklopedisi (İstanbul: TDV Yayınları, 1994), 9/109. 
2 Mehmet S Aydın, (1999), Din Felsefesi, İzmir: İzmir İlahiyat Fakültesi Vakfı Yayınları. fq.184. 
3 Emre Dorman, (2017b), Tarihsel ve Teolojik Açıdan Deizm ve Eleştirisi, Din Karşıtı Çağdaş Akımlar ve Deizm, (Editörler Vecihi Sönmez, Burhaneddin Kıyıcı, Metin Yıldız), Van: Ensar Neşriyat, s. 217-242. fq.226). 
4 Namık Kemal Okumuş, (2017), Yetersiz Bakiye: Deizm’in Tanrı Tasavvuru ya da Sünnetullah Yasaları ve Deizm İlişkisi Üzerine Bazı Tespitler, Din Karşıtı Çağdaş Akımlar ve Deizm, (Editörler Vecihi Sönmez, Burhaneddin Kıyıcı, Metin Yıldız), Van: Ensar Neşriyat, s. 173-192. fq.175). 
5 Vezir Harman, (2017), Kelâm İlminin Deizm Eleştirisi Bağlamında Akıl ve Âlem Tasavvuru, Namık Kemal Üniversitesi İlahiyat Fakültesi Dergisi, Yıl: 2017, Cilt: 3, Sayı: 1, s.13-51. fq.17. 
6 Diogenes Allen, (1985), Philosophy for Understanding Theology, Atlanta: John Knox Press. 1985, fq.168 
7 Emre Dorman, (2009), Deizm ve Eleştirisi: Tarihsel ve Teolojik Bir Yaklaşım, Basılmamış Doktora Tezi, İstanbul., fq. 222.

Mr. Adnan Shala
Dituria Islame 407

Exit mobile version