Dëbora e madhe shkakton ndërprerje udhëtimesh në disa pjesë të Evropës, vazhdon alarmi për motin e keq

Dëbora e madhe dhe moti me ngrica shkaktuan probleme nëpër pjesë të ndryshme Evropës, duke bërë që udhëtarët të përballen me ndërprerje të udhëtimit dhe duke marrë jetën e dy personave në Francë, transmeton Anadolu.

Në Holandë, pritet një ndërprerje e konsiderueshme mes paralajmërimeve mbarëkombëtare të borës dhe akullit, ndërsa shërbimi kombëtar holandez i parashikimit të motit lëshoi ​​një paralajmërim me kod portokalli në Limburg dhe Noord-Brabant, por më vonë e uli atë në kod të verdhë.

Në Zuid-Limburg ka rënë tashmë 5-8 centimetra borë gjatë natës, me 1-3 centimetra që priten në disa zona në West-Brabant dhe 5-8 centimetra në Limburg dhe Oost-Brabant, raportoi “NL Times”.

Autoritetet u kërkuan gjithashtu shoferëve të tregojnë kujdes dhe të rregullojnë planet e tyre të udhëtimit pasi rrugët janë të mbuluara me borë dhe akull.

Belgjika, nga ana tjetër, është përballur me një përzierje dëbore dhe shiu të mërkurën mbrëma dhe të enjten në mëngjes, duke bërë që autoritetet të lëshojnë një paralajmërim me kod të verdhë për pjesën më të madhe të vendit.

“Brussels Times” raportoi se nuk kishte ndërprerje të mëdha të trafikut në terren, por fluturimet të enjten në mëngjes u prekën nga vonesat dhe anulimet.

Temperaturat pritet të zbresin deri në -2 gradë Celsius në rajonet qendrore të vendit dhe 2 gradë Celsius në bregdetin e tij.

– Një i pastrehë vdes nga hipotermia në Francë

Ndërkohë, dy persona kanë humbur jetën në Francën veriore për shkak të reshjeve të borës, ndërsa temperaturat pritet të bien deri në -16 gradë Celsius në disa zona më vonë të enjten.

Duke cituar autoritetet, media lokale raportoi se një person i pastrehë pranë Valenciennesit ka vdekur nga hipotermia gjatë natës dhe një person tjetër ka humbur jetën pasi ka rrëshqitur në akull në Croix, afër qytetit Lille.

Kufijtë e shpejtësisë në shumë rrugë janë ulur përkohësisht dhe shkollat ​​në Francën veriore janë detyruar të mbyllen për shkak të shiut dhe borës së madhe.

Rreth 1.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në pjesët veriore të Francës, ku gjatë natës ra deri në 10 centimetra borë gjatë vorbullës së parë polare të vitit të ri.

Ndërprerja e udhëtimeve vazhdon në Britani mes reshjeve të vazhdueshme të borës dhe një paralajmërimi për akull, ndërsa temperaturat bien.

Zyra Met e vendit njoftoi se Anglia, Uellsi dhe Irlanda Veriore kishin të gjitha netët e tyre më të ftohta të dimrit deri më tani, me temperatura të regjistruara deri në -11,2 gradë.

Po ashtu, tri paralajmërime të reja për akull u lëshuan nga Zyra Met, me dy paralajmërime që mbulonin pjesën më të madhe të bregut lindor të Anglisë, Uellsin, Midlands, Anglinë veriperëndimore dhe Irlandën Veriore deri në orën 10:00 të mëngjesit të së premtes.

Ndërkohë, pistat e Aeroportit të Mançesterit u mbyllën përkohësisht për shkak të borës së madhe. Më vonë, aeroporti njoftoi se pistat janë rihapur, por paralajmëroi për vonesa të mëtejshme.

Më herët të enjten, autoritetet gjermane lëshuan një paralajmërim për borë të madhe në pjesën më të madhe të vendit.

Reshjet e borës pritet të vazhdojnë në gjithë Gjermaninë, sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman (DWD).

Ai paralajmëroi drejtuesit e mjeteve që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ngasin me kujdes makinat pasi rrugët janë të mbuluara me akull.

DWD-ja paralajmëroi gjithashtu banorët në Gjermaninë qendrore dhe jugore për rënien e pemëve dhe për objekte që fluturojnë.

Erërat pritet të arrijnë 100 kilometra në orë në Mynih dhe 115 kilometra në orë në zonat pyjore.