Ballina Autorë Opinione Dëbimi dhe krimet serbe ndaj popullatës shqiptare të Sanxhakut të Nishit (1877-1878)

Dëbimi dhe krimet serbe ndaj popullatës shqiptare të Sanxhakut të Nishit (1877-1878)

Jusuf Osmani

Popullata serbe erdhi në trevat shqiptare, përkatësisht në trevat e Ilirisë si pushtuese. Këtu gjetën popullatën iliro-arbërore-shqiptare autoktone, e cila jetoi shumë shekuj më parë pandërprerë në këto troje. Përkundër kësaj, pushteti serb kishte për qëllim dhe synim të përhershëm grabitjen e tokave shqiptare dhe zgjerimin e tyre.

Jusuf OSMANI, Prishtinë

Nga historiografia shqiptare, për shqiptarët e Sanxhakut të Nishit është shkruar në mënyrë fragmentare. Ndërkaq, në anën tjetër, historiografia serbe, për çdo trevë të Sanxhakut të Nishit, të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, ku jetonte popullata shqiptare, kishte angazhuar studiues, historianë, gjeografë, etnologë e të tjerë për studimin e këtyre trevave etnike shqiptare, duke i prezantuar ata në bazë të interesave të tyre megalomane okupuese. Ata kishin për qëllim që ta diskreditonin dhe ta falsifikonin të kaluarën dhe historinë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ata e shtrembëronin me qëllim realitetin historik, përdornin argumente të rreme, falsifikime e trillime, me qëllim që trevat shqiptare t’i pushtonin, kinse na qenkan toka serbe.

Politikën serbomadhe, gjenocidiale kundër popullit shqiptar, e kanë përkrahur, madje edhe sot e përkrahin institucionet shkencore dhe Kisha Ortodokse Serbe, duke trilluar argumente gjoja shkencore për ta justifikuar okupimin serb të trojeve shqiptare. Shkencëtarët serbë, si individë dhe institucionet shkencore, kanë botuar një mori librash antishqiptare, duke trilluar argumente të paqena për autoktoninë e shqiptarëve në disa treva të Ballkanit, duke përfshirë edhe Sanxhakun e Nishit, kinse popullata shqiptare e kësaj trevë është vendosur në shek. XVII dhe XVIII, vlerësim që nuk përket me të vërtetën.

Popullata serbe erdhi në trevat shqiptare, përkatësisht në trevat e Ilirisë si pushtuese. Këtu gjetën popullatën iliro-arbërore-shqiptare autoktone, e cila jetoi shumë shekuj më parë pandërprerë në këto troje. Përkundër kësaj, pushteti serb kishte për qëllim dhe synim të përhershëm grabitjen e tokave shqiptare dhe zgjerimin e tyre. Serbia shpresonte që ta shfrytëzonte rastin në rrethanat e krijuara për ta pushtuar në tërësi jo vetëm Sanxhakun e Nishit, por edhe Kosovën dhe tërë Shqipërinë bregdetare për të dalë në detin e hapur. Garashanini tuboi pjesë nga disa tekste që qarkullonin asokohe, duke i këshilluar sllavët e jugut që të përgatiteshim për shpartallimin e Perandorisë Osmane përmes bashkimit në një shtet të mëvetësishëm dhe jo duke iu bashkuar rusëve ose austriakëve. Garashanini, megjithatë, bën një hap më tej me përcaktimin e tij, në frymën e Vuk Karaxhiqit, se të gjithë sllavët e jugut duhej të bashkoheshin nën shtetin serb – “Serbë krejt e kudo”. Ai ofronte udhëzime të hollësishme se si duhet përfituar përkrahja e kroatëve katolikë, e boshnjakëve myslimanë dhe e malazezve. Pra, programe të tilla pushtuese, që nga viti 1844, kishin përpiluar vetë qeveria serbe, institucionet e ndryshme shkencore, individë, shtabet ushtarake, kisha serbe dhe të tjerë, që tokat shqiptare të pushtoheshin dhe më pastaj të kolonizohen me elementin sllavë.

Pushteti serb, për t’i realizuar këto projekte, domethënë pushtimin e tokave shqiptare, e intensifikoi veprimtarinë diplomatike. Për këtë qëllim monarkia serbe e intensifikoi edhe shtypin, publikimet dhe aktivitetin shkencor, nëpërmjet të cilëve synonte t’i vinte një mbështetje gjoja historike shkencore politikës grabitqare pushtuese të borgjezisë serbomadhe ndaj tokave shqiptare. Ajo ka bërë falsifikime e glorifikime. Përkitazi me këtë, në një rast, shkrimtari serb Millan Miliçeviq, në ditarin e tij, në vitin 1871, ka shënuar që në pjesën më të madhe nuk është publikuar: “Nuk munden pasardhësit tanë të dinë të vërtetën për ne, sepse asnjëherë nuk ua tregojmë, për atë ne asaj po i ikim, ne po e zgjedhim llogarinë tonë momentale”.[i]

Faktet, argumentet shkencore, historike, arkeologjike, toponomastike e arkivore e dëshmojnë të kundërtën e asaj çka shkruajnë shumë studiues serbë. Studime të shumta historike, gjuhësore dhe arkeologjike shpien në përfundim se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejt të ilirëve të lashtë, autoktonë, që shtriheshin në pjesën më të madhe të Gadishullin Ilirik (tani Ballkanik). Gjuha e shqiptarëve, e cila e ka zanafillën që në kohët paraklasike, është një provë e rëndësishme në favor të pohimit të origjinës së saj të lashtë. Shqiptarët, në trevat e sotme të tyre etnike, janë autoktonë në Ballkan, shumë para ardhjes së sllavëve në këto treva. Shkencëtarëve serbë ky fakt nuk u pëlqen aspak, kurse politikanëve jo se jo. Pra, historia e Ballkanit nuk filloi nga fundi i shekullit VII, nuk filloi, pra, nga ardhja e serbëve, por është shumë e shumë më herët, kur serbët ishin diku prapa Karpateve. Prandaj, shqiptarët në Ballkan, kudo qofshin, janë autoktonë, kurse serbët, si sllavët e tjerë, janë vetëm ardhacakë të vonshëm në këtë pjesë të Europës. Edhe qendra e Sanxhakut – Nishi ishte qendra e Dardanisë antike ilire, të cilët kanë qenë me mijëra vjet para ardhjes së sllavëve në këtë hapësirë gjeografike. Madje, në shumë vepra të studiuesve serbë heshtet prania e shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit ose nëse e përmendin këtë, ata i quajnë turq, myslimanë e jo shqiptarë. Këtë e bëjnë për qëllime të caktuara politike pushtuese, sepse shqiptarët jetonin nën sundimin turk dhe ishin të një besimi – islam. Duhet theksuar se shqiptarë kishte edhe të besimit të krishterë – katolikë dhe ortodoksë.

Vilajeti i Kosovës, ku bënte pjesë edhe Sanxhaku i Nishit, gjithmonë ka qenë i banuar edhe me popullatë shqiptare, por në vende të caktuara edhe me popullatë sllave, pa marrë parasysh se kush ka qenë okupator i saj në kohë të ndryshme, siç kanë qenë romakët, bizantinët, bullgarët, serbët, turqit, austriakët ose italianët e gjermanët.[ii] Në këtë trevë, por edhe në disa të tjera, përherë ka pasur lëvizje të popullsisë për arsye të ndryshme: ekonomike, politike, fetare, të sigurisë etj. Ajo ka lëvizur prej një treve në tjetrën, duke përfshirë edhe Sanxhakun e Nishit, ku disa familje janë vendosur edhe në shek. XVII-XVIII, por nuk do të thotë që ato më parë nuk kanë jetuar në këto treva dhe me krijimin e rrethanave të reja politike janë kthyer në trevat ku kanë jetuar më parë.

Pra, lashtësia e pranisë shqiptare në trevën e Sanxhakut të Nishit nuk mund të vihet në dyshim. Për më se një shekull e gjysmë kjo temë ka qenë objekt spekulimesh, shumë prej tyre të fryra nga qëndrimet shoviniste të studiuesve serbë dhe sllavë e të tjerë. Mirëpo, thjesht nuk ka asnjë bazë të arsyeshme për të besuar ndryshe, përpos se njerëzit që sot flasin gjuhën e quajtur shqip, pra “gjuhën e shqiponjave”, janë pasardhësit e banuesve ilirë të së njëjtës trevë para 2000 vjetëve.[iii]

Sanxhaku i Nishit ishte njësi administrative-territoriale e Perandorisë Osmane në kuadër të Vilajetit të Kosovës me qendër në Nish. Në fund të sundimit osman, më 1877/78, përbëhej nga kazatë e Nishit, Urkupit (Prokuplës), Kurshumlisë, Vranjës, Leskovcit, Sharkoyt (Pirotit) dhe Izbolit (Tërnit). Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare ishin përqendruar në kazatë e Urkubit (Prokuplës) dhe të Kurshumlisë, por kishte edhe në ato të Leskovcit, Vranjës, Nishit, Pirotit, madje edhe në atë të Izbolit (Tërnit). Banorë shqiptarë kishte edhe në vende të tjera, në veri të Sanxhakut të Nishit, në Pashallëkun e Beogradit, sidomos në qytete, si p.sh. në Qupri, Paraçin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Karanovc (Kralevë), madje edhe në Beograd.

Në Sanxhakun e Nishit jetonin rreth 200.000-250.000 banorë shqiptarë autoktonë, të vendosur në mbi 716 vendbanime, disa të pastra shqiptare e disa edhe të përziera, ku jetonin edhe serbë, turq, hebrenj, çerkezë etj.

Më 1 dhjetor të vitit 1877 Serbia, në aleancë me Rusinë, i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Ushtria serbe e filloi fushatën më tragjike që është zhvilluar ndonjëherë në Ballkan kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare dhe, në përgjithësi, myslimane të Sanxhakut të Nishit. Divizionet e shumta serbe e sulmojnë popullsinë civile, duke vrarë e masakruar pleq, gra, fëmijë etj. Ata ua vënë flakën vendbanimeve shqiptare, dogjën shtëpi dhe objekte të tjera të pronarëve shqiptarë. Me dhjetëra mijëra shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akull etj. Nëpër lumenjtë Moravë, Nishavë etj., notonin me qindra kufoma shqiptare, të hedhura nga forcat ushtarake. Nga vrasjet e shumta që nga Nishi e deri në Kurshumli u hapën varre masive. Sipas të dhënave të pakonfirmuara, më se 70.000 banorë shqiptarë u vranë, u masakruan ose vdiqën nga të ftohtit, uria etj.

Forcat serbe e aplikuan politikën e terrorit dhe të shpërnguljes në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e saj amtare. Qeveria serbe përdori mjetet më mizore, për të ndryshuar në të mirë të Serbisë përbërjen etnike të viseve të pushtuara. Lakmitë shoviniste të borgjezisë serbomadhe dhe politika e tyre antishqiptare e gjenocidit u shfaqën në tërë brutalitetin e tyre dhe arritën një nga pikat më kulmore në muajin dhjetor të vitit 1877 dhe janar të vitit 1878 dhe pas saj. Spastrimi etnik i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877/78, shënon spastrimin e parë masiv të kohës më të re, i realizuar pak para Kongresit të Berlinit. Me vendimet e Kongresit të Berlinit, Serbisë i njihet si territor i saj aneksimi i tokave dhe pronës së shqiptarëve në sipërfaqe prej 10.972 km², i realizuar përmes spastrimit etnik, vrasjeve, masakrave dhe dëbimit të shqiptarëve nga vendi i tyre. Spastrimi i trevave të Sanxhakut të Nishit nga shqiptarët më 1877 dhe 1878 është bërë sipas planit paraprak të pushtetit serb, sikurse rusët në periudhën e njëjtë që kanë dëbuar çerkezët, tartarët dhe turqit nga Bullgaria.

Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit ishte bërë me qëllim të krijimit të shtetit të pastër etnik serb, por edhe për të krijuar kushtet sa më të volitshme për depërtimin serb në Kosovë përmes Merdarës, Prapashticës dhe Tepës së Sfircës. Sipas një burimi tjetër, thënie të gjeografit të njohur serb, Jovan Cvijiq, me vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878 Serbia mbetet shtet i rrethuar, serbët popull i burgosur, andaj vetëm me dalje në Bregdetin Adriatik Serbia do të ishte shtet i pavarur.[iv]

Jovan Haxhi Vasileviqi i paraqet motivet kryesore të dëbimit të shqiptarëve: “Motivet kryesore, me të cilat ushtria serbe i ka shpërngulur shqiptarët nga territoret e reja të çliruara, sikurse shihej deri më tani, ishin: që nga Serbia të krijohej shtet i pastër nacional; ashtu siç shkrimtari i madh serb Njegoshi është ndier, të pastrohet vendi nga jokryqalitë; që të paralizohen hapat e Portës, që ajo i ka bërë dhe në vetë Kongresin e Berlinit, që asaj t’i kthehen të gjitha territoret në të cilat shqiptarët kanë jetuar; që aksioni i Serbisë në të ardhmen të drejtohet nga trevat e Kosovës dhe Serbisë së Vjetër, në përgjithësi, që sa më shumë të sigurohen…”.[v]

Me pushtimin e viseve të Sanxhakut të Nishit në vitet 1877/78, ushtria serbe ka bërë krime të llojllojshme ndaj civilëve shqiptarë. Kjo ishte edhe një ndër masat për t’i detyruar që të shpërngulen. Ato dëbime janë bërë me një brutalitet ekstrem dhe, si pasojë e asaj, ka pasur shumë viktima. Prandaj, me qindra mijë njerëz e kanë braktisur përgjithmonë vendlindjen e tyre. Ata janë sulmuar, janë vrarë, janë keqtrajtuar dhe janë plaçkitur.

Është vështirë të përshkruhen ato krime të bëra. Për to nuk ka të dhëna të shkruara, sepse armiku për krimet e bëra nuk lë kurrfarë gjurme. Aty-këtu është lënë ndonjë shkrim i ndonjë dëshmitari okular që ka parë ato masakra e krime. Mirëpo, të parët e të dëbuarve, me vendosjen në Kosovë e gjetiu, kanë treguar për krimet e bëra ndaj familjeve të tyre, fqinjëve e, në përgjithësi, ndaj popullatës shqiptare. Ato rrëfime, në të shumtën e rasteve, nuk janë shënuar, kuptohet nga situata në të cilën jetonte popullata shqiptare; analfabetizmi, gjendja e vështirë ekonomike e shumë rrethana të tjera. Kështu sot ato rrëfime janë zbehur dhe tani pothuajse janë harruar.

Në krimet e bëra, pushkatimet e vrasjet në forma të ndryshme, duhet theksuar se ato janë bërë pa asnjë gjyq. Serbët i bënin këto masakra, veç tjerash, edhe për ta frikësuar popullatën shqiptare që të largohej nga trojet e veta etnike.

Qëllimi i dëbimit të shqiptarëve ishte realizimi i projekteve famëkëqija serbe për zgjerimin territorial, spastrimin etnik dhe ndërrimin e strukturës nacionale të popullatës jo vetëm të kësaj treve, por edhe të trevave të tjera shqiptare që u pushtuan më vonë. Nacionalisti dhe shovinisti serb Vasa Çubrilloviq, por edhe disa të tjerë, pohojnë se dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve nga treva e Sanxhakut të Nishit dhe kolonizimi me elementin sllav ka sjellë qetësi e përparim në çdo aspekt. Nacionalistët, sidomos pas Naçertanies së Ilija Garashaninit në vitin 1844 dhe më vonë, me projekte të tjera të shumta, deri tek ai i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në vitin 1987, synonin serbizimin e të gjitha trevave shqiptare, madje edhe atyre të Shqipërisë së sotme, me qëllim të daljes së Serbisë në bregdet, nëpërmjet tokave shqiptare.

Shqiptarët e shpërngulur, përveç rreziqeve nga forcat serbe, u ballafaquan edhe me rreziqe të tjera, sidomos që në kohën e dëbimit ishte dimër dhe acar i madh. Ata nuk mund t’i merrnin as gjërat më elementare ushqimore dhe të veshmbathjes, sepse nuk mund t’i transportonin. Merrnin qerre me qe dhe buaj, por u mungonin sajat, sepse qerret nuk mund të lëviznin për shkak të borës së madhe. Rrugët ishin të mbuluara me borë, as që shiheshin, ndërsa disa ura ishin të shkatërruara. Atëbotë mezi arritën t’i merrnin vetëm njerëzit e gjallë me vete. Kishte raste kur nëna muhaxhire nuk mundi t’i merrte të gjithë fëmijët e saj dhe nëpër atë acar të madh ia mësynë pjesës jugore të Vilajetit të Kosovës.

Pasojat e gjenocidit serbomadh ndaj popullatës shqiptare ishte shkretimi i qyteteve dhe i fshatrave të shqiptare nga ushtritë serbe e malazeze, masakrimi i mijëra grave, pleqve, fëmijëve etj. dëbimi i mijëra të tjerëve, përvetësimi i pasurive të tundshme dhe të patundshme etj.

Në territorin e Kosovës shqiptarët muhaxhirë të dëbuar u vendosën në fshatra dhe qytete. Ata u vendosën kryesisht në trevat rreth kufirit me Serbinë e sotme, në territorin e rrafshit të Kosovës, Llapit, Anamoravës etj. me shpresë se një ditë do të kthehen në vendlindjen e tyre. Shumë familje shqiptare muhaxhire u vendosën edhe në territorin e Maqedonisë, e shumë prej tyre përfunduan jashtë Kosovës, tej Bosforit, në shkretëtirat e Anadollit e më gjerë deri në Siri. Pas vitit 1912 kur Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës pushtohen nga forcat serbe e malazeze, një numër i madh i madh i popullatës u shpërngul në Turqi, por disa ikën dhe gjetën strehë në Shqipërinë e sotme administrative.

Për krimet e bëra ndaj popullatës shqiptare të Sanxhakut të Nishit flasin shumë dokumente, por edhe dëshmitarë okularë të kohës dhe udhëpërshkrues të shumtë. Ata kanë parë togje kufomash shqiptare, vatër më vatër, shtëpi të rrënuara, nëna të ngrira me foshnja në gji, fëmijë të uritur të pambrojtur, uri e skamje nga zjarret dhe nga plaçkitjet për pasiguri dhe skena të trishtueshme kishin mbetur në tërë Sanxhakun e Nishit, në trevat e Kurshumlisë, Prokuples, Leskovcit, Nishit, Vranjës, Pirotit etj.

Në një urdhëresë të Komandës së Shtabit Suprem për shpërngulje të shqiptarëve i është urdhëruar pushtetit ekzekutiv: “Që (shqiptarë dhe turq) sa më pak të ketë te ne, aq më mëdha do të jenë meritat për atdheun dhe secili që më tepër shpërngul shqiptarë, me këtë do të ketë më shumë merita për atdheun e vet”.[vi] Kryetari i qeverisë serbe, Millan Piroqanac, kishte deklaruar: “Nëse i lëmë ata këtu, do të na shkaktojnë shumë telashe”.[vii]

Studiuesi serb, Mita Rakiq, në librin e tij “Iz Nove Srbije” i përshkruan tmerret që i përjetuan shqiptarët gjatë shpërnguljes. Ai shkruan se Pusta Reka ka pasur 112 fshatra. Në fakt, këto janë fshatra të shqiptarëve, për të cilat serbët kurrë nuk kanë ditur, kurse tash në këto fshatra nuk ka mbetur asnjë shqiptarë, prandaj askush nuk di nga serbët se si quhen ato. Ai shkruan: “Ne shumë gabimisht kemi menduar për shqiptarët. Unë në Beograd kam menduar se shqiptari është i egër, që nuk punon asgjë, po rri me pushkë në dorë dhe pret se kë do ta vrasë, do ta grabisë dhe do ta vjedhë, mirëpo kur e kam parë Toplicën dhe Pusta Rekën, edhe këta pak shqiptarë që i kanë dorëzuar armët dhe na janë dorëzuar neve serbëve, në të vërtetë u binda se shqiptari në një anë është i egër dhe se të vrasë një njeri është aq i lirë, sikurse të presë një zog dhe me një plumb ia merr jetën tjetrit. Jo, për turpin tonë, në anën tjetër, është kryengritës, por edhe punëtor si rrallëkush ndonjë fis tjetër, se është bujku më i mirë në Serbinë e Re dhe në aspektin moral dhe material është më i pastër sesa popujt e tjerë që jetojnë në fqinjësi. Patriotizmi, por më mirë të themi shovinizmi, nuk ia lejon që të pranojë vendimet e të vetit e fiseve më të forta të cilët i urren. Por, në të vërtetë kërkon që të dëgjojë, edhe jo aq shumë, por aq si ia tërheq vëmendjen dhe besimin falënderimi egoist. Shqiptari edhe tokën e punon dhe mban bagëti. Ai arën e plehëron, ndërsa livadhet i ujit ose i than (në Toplicë dhe në Pusta Rekë). Ai ka shtëpi të mirë, por nuk është e bardhë dhe e gëlqerosur, por ka më shumë dhoma, në formën e bujtinave, nën të cilat është ahuri për kuaj (në Toplicë dhe Llap)…”.

“Ata janë mikpritës. Gjatë rrugës në këto vise, vetëm shtëpitë shqiptare ishin të hapura para meje dhe më ofronin bukë, djathë dhe gjalpë. Ato ishin të begatshme. Në anë e kundërt, në Prekopçellnicë, në fshatin e madh të serbëve në Pusta Rekë, në të kam rënë në gjumë i uritur dhe i lodhur dhe nuk kam mundur të hyj në shtëpinë e kmetit as me para, e kurrsesi ndryshe, që të marr një copë bukë dhe djathë. Ashtu njëjtë është edhe në Bojnik. Dhe. me çka, pa dyshim, shqiptari ishte më i madh se serbët në Serbinë e Re, por edhe të ne në Serbinë e Vjetër, ajo është se ai kurrë nuk pi as verë e as raki. I rrallë është ai që pi kafe. Ndërsa, besën shqiptare as që duhet ta përmendim.”[viii]

Diplomati anglez në Beograd, G.F. Gould, me shkresën nr. 238 (B.B), të datës 26 nëntor 1878, mes tjerash i shkruan Gould Marquis of Salisbury-t: Dëgjova se qeveria serbe është sjellë me një vrazhdësi të madhe dhe të panevojshme, madje mizore, me shqiptarët e rajoneve që u dorëzuan kohë më parë. Në qoftë se informacioni im është i saktë dhe unë kam çdo arsye që të besoj në saktësinë e tij, banorët paqedashës dhe të shkathtë të më se 100 fshatrave shqiptare në luginat e Toplicës dhe Vranjës u dëbuan me një egërsi nga shtëpitë e tyre nga serbët në fillim të vitit. Këta njerëz të mjerë, që atëherë po bredhin dhe po vërtiten të uritur dhe të mbetur si të humbur me natyrën e egër, jashtë kufijve të Serbisë së Re. Ata nuk janë lejuar që t’i korrin të korrat në tokën e tyre. Përkundrazi, ato u janë rrëmbyer nga ushtarakët serbë, ndonëse ata shpeshherë kishin dërguar delegatë dhe peticione e protesta te qeveria, duke e lutur atë me përkori, përulje dhe duke premtuar se do të bëhen shtetas besnikë të Princit Millan…”[ix]

Mësuesi i Leskovcit, Josif Haxhi Kostiq, ishte dëshmitar i tragjedisë së shqiptarëve, duke shkruar: “Tërheqja turke ishte tragjike. Buaj dhe qe kishte pak. Prandaj, tërheqja nëpër grykën e Gërdelicës ishte e ngadalshme… Andaj, edhe vdekshmëria e të ikurve “turq” jo vetëm që ishte e madhe, por edhe shqetësuese dhe tragjike. Shpërngulja e “turqve” të Leskovcit ka zgjatur tërë natën më 8 dhe 9 dhjetor dhe nga rreth nëntëqind familje “turke” me rreth pesë mijë banorë, për rreth njëzet e katër orë jo të plota, në Leskovc kanë mbetur vetëm 62 familje “turke”, kryesisht nga radhët e varfanjakëve. Qyteza kështu, befasisht, ka mbetur pa administratë dhe pushtet turk”… “Kanë qenë shumë “turq”, të cilët zhveshur e zbathur në dimrin më të madh të dhjetorit kanë ikur këmbë nëpër borë dhe të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre plot mall. Në atë natë shumë fëmijë në qerre ose në krahët e nënave në djepa kanë vdekur nga të ftohtit e madh. Derisa familjet turke iknin dhe tërhiqeshin në luginën e lumit të Moravës Jugore nëpër të ftohtit më të madh, pranë rrugës nëpër Grykën e Gerdelicës deri te Vranja dhe Kumanova shiheshin fëmijë të hedhur dhe të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ka qenë tragjike. Kuajt dhe qentë e tërhiqnin ngadalë qerren nëpër borë, sepse saja ka pasur pak. Për këtë arsye tërheqja nga Gryka e Gërdelicës ishte e ngadalshme.”[x]

Ekzistojnë edhe shumë të dhëna të tjera që flasin për krimet makabre serbe ndaj popullatës shqiptare. Gjatë dhe pas luftës tërë pasuria e shqiptarëve të ikur është plaçkitur nga ushtria, por edhe nga popullata vendëse serbe, si edhe nga ajo e ardhur nga vendet tjera. Janë plaçkitur drithërat, bagëtitë dhe çdo gjë me vlerë që kanë gjetur nëpër shtëpitë e braktisura të shqiptarëve. Ishte plaçkitur çdo gjë që ishte gjetur nëpër vendbanime e shtëpi të shqiptarëve. Pjesa dërrmuese e plaçkitjeve ishin edhe bagëti. U uzurpuan dhe u mor tërë pasuria e patundshme dhe e tundshme e popullatës shqiptare të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit dhe ajo deri më sot asnjëherë nuk është kompensuar ndonëse e drejta për prona nuk vjetërsohet kurrë.

Pas dëbimit të shqiptarëve, Serbia filloi me nxitim kolonizimin e vendbanimeve të Sanxhakut të Nishit me elementin sllav të ardhur nga viset e ndryshme, si nga Serbia, Mali i Zi, Hercegovina, Bosnja etj. Pushteti dhe kolonët e rinj serbë e plaçkitën tërë pasurinë e shqiptarëve.

Këtë politikë të krimit dhe gjenocidit ndaj popullatës shqiptare pushteti serb e ka vazhduar me krime e gjenocid më të madh edhe pas vitit 1912 kur e pushtoi Kosovën, Maqedoninë, Luginën e Preshevës, si dhe në periudha të caktuara deri në luftën e fundit gjenocidale të viteve 1998-1999.

[i] Safeta Bandžović, Progon muslimana Serbije 1830-1867. godine. http://www.bosnjaci.net/prilog.php?pid=44169. Qasja janar 2019.

[ii] Akademik Mark Krasniqi, Sipas shkencës serbe Drenica qenka “I dyti mal i shenjtë serb”. “Dardania Sacra”, 4, Prishtinë, 2002, f. 173.

[iii] Stephen Schwartz, Kosova: Prejardhja e një lufte (përkthim në gjuhën shqipe), Prishtinë, 2005, f. 1.

[iv] D. Djordjević: Izlazak Srbije na Jadransko More, Beograd 1956, f. 11-12.

[v] Dr. Jov. Hadži-Vasiljević, Arbanaška Liga – Aranautska Kongra. Srpski narod u Turskom Carstvu (1878-1882), Beograd, 1909, f. 12.

[vi] Dr. Jovan Hadži-Vasiljević, Arbanaška Liga. Srspki narod u Turskom Carstvo (1878-1882), Beograd, 1909, f. 13-14.

[vii] https://www.sda.rs/uploads/Albanofobija%20u%20Srbiji.pdf – Qasja, 24.07.2019.

[viii] Mita Rakić, Iz Nove Srbije, (1880-1881), Leskovac, 1987, f. 56-58.

[ix] PRO, FO 424/77; Albania & Kosovo – Political and Ethnic Boundaries 1867-1946, Editor Bejtullah Destani, Archive Editions, 1999, f. 111.

[x] Nikola P. Ilić, Oslobodjenje Južne Srbije 1877-1878, Beograd, 1977, f. 121; Vladimir Stojančević, Leskovac i Leskovačka Nahija u XIX veku (1804-1878), Leskovac, 1987, f. 203. /revistashenja

Exit mobile version