Debati për Arsimin, përtej PISA 2022

Besnik Sinani

Një nga kritikët më të rëndësishëm të arsimit në gjysmën e dytë të shek. 20 në Amerikë, Neil Postman, i identifikonte dy dimensione tek problemi i shkollimit: aspektin inxhinierik, që kishte të bënte me mjetet me të cilat nxënësit marrin arsimim, dhe atë metafizik, i cili në fakt vë theksin tek qëllimi ose misioni i arsimit. Në botën bashkëkohore, vinte në dukje ai, shpesh theksi vihet tek aspekti i parë, tek kurikulat, metodologjitë pedagogjike, testet e standardizuara, roli i teknologjisë etj., ndërkohë që i kushtohet fare pak vëmendje metafizikës së arsimit. Për të, pa një qëllim transcendent, arsimi arrin fundin e vet.

Besnik SINANI, Tiranë

Reduktimi i debatit publik shqiptar për arsimin vetëm në rezultatet e testimit “PISA 2022” përbën mundësisht një problem edhe më të madh sesa vetë rezultatet zhgënjyese të testit. Ndoshta debati duhet kthyer në pyetjen bazike se çfarë pritshmërish kemi nga arsimi.

Pa reduktuar gravitetin e treguesve të këtij testi, diçka duhet thënë për premisat e tij. PISA ka qenë, prej vitesh, objekt debati kritik nga edukatorë dhe akademikë të shumtë, e megjithatë kjo nuk ka patur ndonjë impakt. PISA ka vazhduar ta përhapë influencën globale në politikat e arsimit. Po këta kritikë vënë në dukje se kjo rritje e impaktit global ka bërë që PISA të mos u kushtojë vëmendje kritikave ose të përpiqet t’i adresojë objektivisht problemet e ngritura. Duhet vënë në dukje se, prej dekadash, testimet e standardizuara në përgjithësi kanë qenë objekt kritike akademikësh, por tendenca përherë standardizuese e arsimit ka bërë që këto makineri testimi ta imponojnë prezencën e tyre në arsim. Një nga shqetësimet themeltare që ngrenë kritikët e testeve të standardizuara është se ato shpesh nuk e testojnë nivelin e dijes së nxënësit, por nivelin e familjaritetit të tij me të tilla formate testimi. Për rrjedhojë, teste si PISA mbartin specifika kulturore, që nuk përkojnë me diversitetin e vendeve ku testi aplikohet.

Por, ajo ku dua të vë theksin është edhe tek një lloj hierarkie që ky test vendos në fushat e dijes, duke theksuar dhe imponuar një lloj kuptimi utilitar për arsimin. Fushat e dijes, që zgjidhen të testohen dhe ato që lihen jashtë kësaj përfshirjeje, janë indikatorët e rëndësisë që atyre u atribuohen. Duke qenë, për shembull, se gishti i fajësisë për rezultatet e ulëta është drejtuar edhe nga mësuesit dhe administratat e shkollave, duke menduar në avancë për testin e ardhshëm, si do të vlerësohet nga këta edukatorë dhe administratorë shkenca në krahasim me, fjala vjen, historinë apo gjeografinë? Për më tepër, siç është evidentuar prej dekadash nga studiuesit e arsimit, absurdi i testimit si mjet matës i akumulimit të dijes është se rezulton, në fakt, në përpjekjen e përbashkët të nxënësve dhe mësuesve jo detyrimisht për të mësuar, por për të pasur sukses në testim.

Një nga kritikët më të rëndësishëm të arsimit në gjysmën e dytë të shek. 20 në Amerikë, Neil Postman, i identifikonte dy dimensione tek problemi i shkollimit: aspektin inxhinierik, që kishte të bënte me mjetet me të cilat nxënësit marrin arsimim, dhe atë metafizik, i cili në fakt vë theksin tek qëllimi ose misioni i arsimit. Në botën bashkëkohore, vinte në dukje ai, shpesh theksi vihet tek aspekti i parë, tek kurikulat, metodologjitë pedagogjike, testet e standardizuara, roli i teknologjisë etj., ndërkohë që i kushtohet fare pak vëmendje metafizikës së arsimit. Për të, pa një qëllim transcendent, arsimi arrin fundin e vet.

Kritikë, si Postman-i, e vendosnin theksin tek nevoja e ngritjes së narrativave të përbashkëta, narrativa që përfshijnë nxënësit, mësuesit dhe prindërit, narrativa që ofrojnë një kuptim identitar, prezencën e një bashkësie, bazën e përbashkët morale dhe shpjegimin për të panjohurat. Duke iu referuar John Dewey-t, ndoshta filozofit që pati më shumë ndikim tek ai, Postman-i vë në dukje se arsimi publik, përpara se t’i shërbejë publikut, ajo e krijon publikun. Që ky krijim i publikut të jetë i mundur, është e nevojshme prezenca e narrativave të përbashkëta, akomoduese të diversitetit, në mënyrë që të mënjanojë fragmentarizimin. Narrativa të tilla janë, tek e fundit, ato që ofrojnë vetë qëllimin e arsimit publik në një vend. Por, një arsim i drejtuar nga utilitarizmi ekonomik, konsumerizmi, teknologjia e të tjerë “zotë të rremë” të arsimit, siç i quan Postman-i, nuk ofrojnë një arsyetim të qëndrueshëm për arsimim.

Ai i propozon pesë narrativa të mundshme: “Toka si Anije në Hapësirë”, e cila mbart nocionin se njerëzit janë përkujdesësit e planetit; “Engjëjt e rënë”, e cila ofron një vizion të avancimit të historisë njerzore si një seri gabimesh dhe korigjimesh; “Eksperimenti Amerikan”, e cila propozon idenë e historisë së Amerikës si një eksperiment të rëndësishëm që gjendet në qendër të një debati të vazhdueshëm; “Ligjet e Diversitetit”, e cila nxit idenë se diferencat kontribuojnë në vitalitetin, zhvillimin dhe unitetin e një shoqërie; dhe “Thurësit e Fjalëve si Formues të Botës”, narrativë e cila nënkupton se bota krijohet nëpërmjet gjuhës, përkufizimeve, pyetjeve dhe metaforave.

Qartazi, narrativat e propozuara nga Postman-i, mbartin specifika të shoqërisë, për të cilën ai shkruante dhe secila shoqëri do të duhet të reflektojë për specifikat e veta. Por, ato mbartin edhe ndërgjegjësimin e të qenit pjesë e një tërësie globale. Në të vërtetë, nuk shohim të përmendet matematika ose shkencat në këto narrativa, por jo ngase janë të neglizhuara, por ngase supozohen të jenë në shërbim të këtyre narrativave.

Teksa debati që pasoi në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut, shpallja e rezultateve të testimit “PISA 2022” është kufizuar tek rezultatet e testimit, kjo vëmendje tek arsimi duhet përdorur për të ngritur edhe pyetje më esenciale rreth pritshmërive tona ndaj arsimit e, mbi të gjitha, të llojit të publikut që duam shkollat tona të krijojnë dhe të llojit të narrativave që ato do përçojnë. Debati se si të arrihen rezultate më të mira – problemet, metodat, financat etj. – duhet të vijë pas një debati më esencial për vetë kuptimin e shkollës dhe se pse na duhet ajo. /revistashenja