Të paktën 32 pjesëtarë të forcave irakiane të sigurisë janë vrarë në sulmet nga terroristët e DEASH-it në Mosul në 24 orët e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
Oficeri i ushtrisë irakiane Ali Al-Karbalai për AA, tha se 12 ushtarë u vranë në shpërthimet vetëvrasëse që kanë kryer tre pjesëtarë të DEASH-it ndaj pozicioneve të forcave irakiane në qarkun Al-Shifa, në veriperëndim dhe qendër të Mosulit.
Edhe 13 ushtarë u vranë në një seri sulmesh me bomba që terroristët kryen në qarkun Zanjili, në perëndim të qytetit të Mosulit, e cila është fortesa kryesore e DEASH-it në Irak.
Al-Karbalai tha se sulmuesi vetëvrasës me një autobombë në lagjen Bab Sinxhar ka vrarë të paktën shtatë ushtarë dhe ka shkatërruar një autokolonë prej 11 automjeteve të forcave irakiane.
Terroristët e DEASH që nga vera e vitit 2015 kontrollojnë qytetin e dytë më të madh në Irak, Mosul.
Pas tre muajve të operacioneve të forcave të bashkuara irakiane me mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar në janar kanë çliruar pjesën lindore të Mosulit ndërsa më 19 shkurt edhe operacionin për çlirimin e qendrës së qytetit i cili ndodhet në perëndim të lumit Tigër.
Mosuli në Irak dhe Rakka në Siri janë të njohur si dy bastionet më të mëdha të terroristëve të DEASH-it.