Ballina Autorë Opinione De-konstruktimi i miteve historike

De-konstruktimi i miteve historike

Justinian Topulli

Po shihja një dokumentar me historianë shqiptarë nga Shqipëria (e 1913) dhe Kosova, të cilët po de-konstruktonin mitin serb rreth betejës së 1389 me osmanët.

Pa ndonjë emocion nacionalist, historianët shqiptarë tregoheshin të ftohtë dhe jepnin një nga një, fakte dhe të dhëna historike, si dhe vinin në dyshim pretendimet serbe, duke folur për përmasa më modeste të kësaj beteje, si dhe vinin në pah të pavërtetat dhe elementët mitikë që iu shtuan kësaj beteje, nga projekti i nacionalizmit serb shekuj më pas.

Ata që luftuan kundër osmanëve nuk ishin vetëm serbët dhe përballë kishin edhe ballkanas të tjerë që ishin në krah të osmanëve. Llazari, i mbiquajtur Car (perandor), ishte një princ lokal serb, të cilin murgjit serbë më pas e mitizuan në një shenjtor. Ata vunë në pah edhe versionet e shumta që tregohen për mënyrën sesi u vra Sulltan Murati dhe sa mund t’iu besohet atyre, si dhe mjaft elementë të tjerë historikë që janë fryrë apo tjetërsuar me kalimin e kohës.

Ajo që po mendoja pas këtij dokumentari është se, sa të lehtë e kemi të de-konstruktojmë mitet nacionaliste të të tjerëve, sidomos kur ata janë të hasmit tonë dhe mitet e tyre përdoren për të përligjur krimet e tyre ndaj nesh, por kurrë nuk jemi po kaq të gatshëm të de-konstruktojmë mitet tona, ndërkohë që të gjitha nacionalizmat, ngrihen mbi mite, kush më shumë e kush më pak.

Një herë që guxoi një historian i huaj, në thelb dashamirës me shqiptarët, të tregojë versionin e tij të interpretimit të historisë sonë mesjetare, në dritën e fakteve që ai i paraqiste dhe nga një lexim shumë më i gjerë gjeopolitik i epokës, iu hodhën në fyt shumë prej këtyre historianëve që hidhnin poshtë mitet serbe!

Miti është mit, si për serbët, si për këdo tjetër në botë dhe ai duhet të trajtohet si i tillë, nga të gjithë ata që i thonë vetes historianë, duke lënë mënjanë ndjeshmërinë e egër nacionaliste që të verbon nga pranimi i të vërtetave historike. Historianë me dy standarde nuk mund të jesh, të refuzosh mitet e të tjerëve, dhe të mbështetësh mitet e tua.

Nëse në rritjen e ekstremizmit serb dhe shovinizmin e tyre, është më se evidente se kanë ndikuar pikërisht edhe këto deformime të historisë së tyre, a thua vallë deformimet e historisë së shqiptarëve dhe mitet e historiografisë sonë, nga një pjesë e shqiptarëve, nuk kanë ndikuar në rritjen e armiqësisë me shqiptarët e tjerë dhe të vetë shqiptarëve mes tyre?

Kur një shqiptar mysliman reagon për t’iu kundërvënë një miti apo disa të tillëve, që historia jonë ia atribuon periudhës osmane, ai quhet ekstremist fetar, që nuk e do kombin, por pushtuesin e Anadollit! Ndërsa, kur ca të tjerë të frymëzuar pikërisht nga kjo historiografi e manipuluar i shpallin me zë ose nën zë, myslimanët e këtyre trojeve si mish i huaj, si gjak i prishur, si tradhtarë të fesë së të parëve, si të huaj etj., nuk shohim të njëjtin trajtim armiqësor ndaj tyre!

Në fakt, edhe pse mund të duket e pavend, por ekstremistët, përçarësit dhe shkatërruesit e vërtetë të këtij kombi, janë pikërisht këta të kollarisurit, që e mbajnë veten për elita intelektuale, historianë, artistë e politikanë, ata që i kanë injektuar pa pushim këtij populli për gati një shekull përralla dhe legjenda, mite dhe të pavërteta, duke prodhuar këtë realitet të hidhur. Dhe sigurisht, e gjitha kjo, sepse duan ta projektojnë historinë e shqiptarëve në pajtim -me hir ose me pahir- me projektet dhe bindjet e tyre ideologjike e fetare.

Hoxhë Justinian Topulli

Exit mobile version