Ballina Autorë Opinione Dashuria dhe Politika

Dashuria dhe Politika

Dashuria mbase është burimi kryesor për jetën. Ajo çfarë na mban gjallë në jetë është dashuria që kemi për tjetrin, pa asnjë lloj pritjeje, por ajo që na mban gjallë dhe na bën të jetojmë, është zhvendosja jonë nga qenie dashuruese në qenie politike. Për t’a dashuruar dikë, fillimisht duhet ta bëjmë që të jetojë. Dhe jetën e garanton veç politika!

Nga Latif MUSTAFA

Me politikë merret njeriu i cili është i paaftë të dashurojë. Njeriu që është dorëzuar nga dashuria i jepet politikës. Vetëm skeptikët e dashurisë e përqafojnë politikën. Janë këto disa mendime të cilat shpesh i kam thurur e ndërthurur në mendjen time, sa herë që kam menduar rreth motivit kryesor të njeriut i cili me politikë ka vendosur të kyçet në çështjet publike. Normalisht, politika ka shumë dimensione, dhe shpalosja e këtyre dimensioneve i jep kuptime dha kahe të tjera edhe vetë dashurisë, por nëse njeriu fillon të merret me politikë ngaqë ka hequr dorë nga dashuria, atëherë dashuri ndaj ç’kasë? Në këtë linjë mendimi, midis dashurisë dhe politikës ndërlidhet publikja, liria dhe veprimi.

Dashuria ka të bëjë me nënshtrimin. Njeriu i gjunjëzohet veç dy gjërave, dashurisë dhe vdekjes. Ai mbyll sytë veç para këtyre dy gjërave. Bëhet i verbër dhe i ndjek verbërisht ato. Dashuria është sentiment dhe ndjesi e përbrendësimit të tjetrit pa asnjë lloj kushti dhe kalkulimi tokësor. Ai që do më shumë, nënshtrohet më shumë. Bën kompromise më shumë. Për të dashuruarin dimensioni kohë dhe hapësirë nuk ekziston. Përjetësia është realiteti i vetëm. Dashuria apo i dashuruari nuk njeh publiken dhe kolektiven, por veç individualen dhe privaten. Dashuria mund të jetë një kumt publik, megjithatë vlefshmëria e saj është gjithmonë private. Sepse ajo përjetohet në mënyrë të papërsëritshme, vetëm një herë, ashtu siç është çdo individ në këtë botë, unik dhe i papërsëritshëm. Për të dashuruarin nuk ekziston fati, historia dhe vullneti i lirë. Ngaqë ai i është nënshtruar lëmshit të madh të dashurisë, është ajo që e shtyn atë drejt fundit të historisë. I dashuruari nuk është njeri i lirë dhe si i tillë veprimet e tij janë të kufizuara.

Njeriu politik, përkundër atij që është i dashuruar, është njeri i cili frikohet të dashurojë. Frika e tij, për më tepër se mosbindje ndaj nënshtrimit, është egoizmi, dhe fillimisht dashuria ndaj vetes së tij para se të dashuroj dikë tjetër. Humbja e toruas, dhe zhytja në andralla dhe gjëra obsesive, e bën atë që të humbas terren dhe të zhytet në humbje historike. Njeriu politik, përkundër atij të dashuruarit, lemeriset deri në palcë në rast se e humb instinktin e “zoonpolitikon-it”, apo instinktin kafsharak politik, ku e gjithë koha e tij është e kalkuluar dhe e disiplinuar se si ta fitojë pushtetin dhe ta mbajë atë. Dashuria do ta shpie atë në labirintet e dhembshurisë, dhimbjes dhe empatisë, gjëra këto që do ia asgjësojnë egon dhe do e shtyjnë drejt zhdukjes. Njeriu politik, përkundër atij dashuronjës, është personi që e mban gjallë në vete djallëzoren si motiv për beteja politike dhe mekanizëm kundër hapërdajës, mekanizëm që i mbledh veten atij, ia kujton qëllimet e ekzistencës së vet. Dashuria dërrmon racionalen dhe kalkulativen tek njeriu politik, prandaj ky i fundit është rezistues.

Meqë dashuria ka të bëjë me nënshtrimin dhe politika me afirmimin, njeriu politik nuk nënshtrohet sepse si i tillë ai e humb sensin e lirisë dhe konceptimin e hapësirës publike. Qeniesimin e tij politik e bën të mundshëm publikja dhe manifestimi i tij në çështjet publike, të qenit i dashuruar apo dashuria vetë e bën njeriun apatik për çështjet publike, ngaqë fillimi dhe fundi i botës nuk janë kategori as etike dhe as politike në mendjen e tij. Ai thjesht noton. Në sensin më të gjerë shoqëror, i dashuruari rrezikon edhe veprimin politik si shkallë e gjerë e sendërtimit të së përbashkëtës publike, dhe rregullave që duhet t’i nënshtrohet publiku. Ai në vete është një lloj anarkisti që nuk njeh rregulla, dhe është kundër “commonsense-it”. Dashuria, si ndjesi dhe realitetkapërdirës qeniesh njerëzore, mund të prodhojë art, dhe ndikimi i saj mund të shtrihet në katarsisin shoqëror, por kjo do lëndojë dhe do e bëj që të lëngojë njeriun politik nga botëkuptimi gjeometrik i ndarjes së drejtësisë shoqërore.

A mund të ketë, realisht, një ndërlidhje midis politikës dhe dashurisë? Në fakt ndërlidhja e tyre mbase mund t’i përngjasë një sistemi “yin-yang”, por gjërat në jetën e vërtetë janë më të shtrira se në dy dimensione. Dashuria është ndjesia e cila njeriun në formë të një intuite të pastër e shpie drejt metafizikës dhe një bote ku njeriu racionalisht as nuk mund ta pohojë dhe as ta mohojë një botë prej së cilës buron çdo frymëzim. Një botë tjetër. Duke qenë se shpërfaqet e pastër dhe naive, njeriu i dashuruar, ose ai që ka prekur njëherë në jetë dashurinë – dhe tanimë ajo është shuar tek ai – përpiqet që ta kopjojë një botë të tillë dhe atë ta sjellë në tokë në formën e një shteti platonik apo një utopie të Thomas More-it. Një botë e tillë e bën njeriun partizan, tifoz të flakët për t’ia subordinuar botën tonë tokësore një bote tjetër qiellore,ndërsa botën tokësore e kundron si emanacion qiellor. Sipas tij, determinimi është esencial dhe gjithçka është pjesë e një vullneti qiellor. Në anën tjetër, njeriu politik, gjegjësisht ai i cili ka dështuar ose rezistuar së dashuruari, përkundër determinizmit historik që rrënjët mund t’i ketë në metafizikë, beson në vullnetin e lirë dhe lirinë si çështje publike e cila ndërtohet praktikisht dhe sendërtohet teorikisht përmes debatit publik. Për të gjërat nuk janë thjesht të dhëna. Por ato ndërtohen, konstruktohen sipas një mendësie të përbashkët apo “commonsense-i” të ndërtuar historikisht.

Dashuria mbase është burimi kryesor për jetën. Ajo çfarë na mban gjallë në jetë është dashuria që kemi për tjetrin, pa asnjë lloj pritjeje, por ajo që na mban gjallë dhe na bën të jetojmë, është zhvendosja jonë nga qenie dashuruese në qenie politike. Për t’a dashuruar dikë, fillimisht duhet ta bëjmë që të jetojë. Dhe jetën e garanton veç politika! /koha.mk

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

Exit mobile version