Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për “Trafikimin me Njerëz”, thuhet se Kosova është vend burim dhe destinim për burrat, gratë dhe fëmijët, që përdoren për qëllim të trafikimit për seks dhe punë të detyruar, përfshirë edhe në industrinë e restoranteve.
“Shumica e viktimave të trafikimit në Kosovë janë vajza, megjithëse grupet kriminale në Kosovë po ashtu detyrojnë në prostitucion gra nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende tjera evropiane. Gratë dhe vajzat janë viktima të trafikimit seksual në shtëpi dhe apartamente private, klube të natës dhe sallone masazhi. Trafikantët u ofrojnë punësim si valltare dhe këngëtare në restorante – dhe nganjëherë premtime të rreme për martesë – por pastaj i detyrojnë viktimat për trafikim seksual”, thekson raporti.
Në raport potencohet se trafikantët vazhdimisht e më shumë po përdorin mediat sociale për të rekrutuar viktimat, ndërsa theksohet se fëmijët nga Kosova dhe vendet fqinje janë të detyruar të kërkojnë lëmoshë brenda vendit.
“Gjatë periudhës raportuese, autoritetet kanë identifikuar fëmijë që shfrytëzohen si valltarë dhe shoqërim (eskortë), të cilët po ashtu janë viktima të trafikimit seksual. Trafikantët targetojnë shtetas të Kosovës që t’i detyrojnë për prostitucion dhe punë të detyruar gjithandej Evropës”, thuhet në këtë raport.
Korrupsioni qeveritar, sipas DASH-it, krijon një ambient që mundëson disa krime trafikimi. DASH në këtë raport thotë se disa policë, punëtorë të ministrisë së Punës dhe zyrtarë tjerë qeveritarë janë akuzuar apo dënuar për krime të trafikimit.
“Qeveria e Kosovës nuk plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje të dukshme në këtë drejtim. Qeveria ka licencuar dy strehimore OJQ që shërbejnë ekskluzivisht për të gjitha viktimat e trafikimit, ka rritur fondet për strehimore dhe ka ofruar strehim dhe shërbim për të gjitha viktimat e identifikuara më 2015”, thotë më tej raporti.
Qeveria, thotë DASH, gjithashtu ka emëruar një koordinator kombëtar për përpjekjet anti-trafikim, dhe ka nisur së zbatuari plan-veprimin e saj nacional, përfshi ndarjen e fondeve për të përkrahur aktivitetet e planit.
Megjithatë, DASH thotë se qeveria ka identifikuar më pak viktima dhe ka ndjekur penalisht më pak të dyshuar sesa vitin e kaluar.
“Dënimet kanë rënë në nivelin më të ulët në pesë vjetët e fundit dhe gjykatësit kanë dhënë dënime të buta ndaj trafikantëve të dënuar. Për më tepër, përderisa zyrtarët bashkëfajtorë përballeshin me veprime administrative për përfshirje në krime të trafikimit, gjykatat formalisht i lironin ata nga akuzat për trafikim”, thuhet në raportin e DASH-it.
Sipas DASH-it, Qeveria nuk e ka zbatuar një fond për kompensimin e viktimave që kërkohet me ligj, dhe “agjencia nacionale anti-trafikim ka qenë jo-aktive për pjesën më të madhe të periudhës raportuese”.
Më tej janë dhënë edhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, është folur edhe për ndjekjet penale, për mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe parandalimin.