Ballina Sport Futboll “Dardanët” gati për ndeshjen në Bukuresht

“Dardanët” gati për ndeshjen në Bukuresht

Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka mbajtur stërvitjen e tretë dhe të fundit para nisjes për në Bukuresht, ku do ta luaj ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Të mërkurën paradite, “Dardanët” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali.

Futbollistët punuan me përkushtim të lartë në këtë seancë, ndërsa selektori Franco Foda dhe stafi i tij e orientuan stërvitjen kryesisht në detaje taktike, duke synuar përmirësimin e skemave të lojës për përballjen e së premtes.

Pas përfundimit të stërvitjes, Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu ndanë optimizmin e tyre për paraqitje të mirë në Bukuresht, duke theksuar përkushtimin e ekipit për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive.

Madje, Jashari insistoi se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe është optimist i madh për rezultat pozitiv në Bukuresht.

Ndërkohë, Emërllahu shtoi se ekipi është përgatitur mirë dhe të gjithë lojtarët e kanë parasysh rëndësinë e përballjes me Rumaninë.

Ekspedita e Kombëtares së Kosovës të enjten në mesditë do të udhëtoj drejt Bukureshtit, ku të premten mbrëma do të përballet me Rumaninë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Përballja në Bukuresht është e rëndësishme për vendin e parë në grup, të cilit i prinë Rumania me 12 pikë, 3 më shumë se Kosova që renditet e dyta.

Exit mobile version