Ballina Sport Futboll “Dardanët” e rinj përballen me Izraelin

“Dardanët” e rinj përballen me Izraelin

Kombëtarja U21 e Kosovës luan ndeshjen e vetme këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e kësaj grupmoshe që mbahet vitin e ardhshëm.

“Dardanët” e rinj, sot prej orës 19:00 përballen me Izraelin U21, ndeshje kjo që luhet në Hungari.

Dueli Kosovë U21 – Izrael U21, i takon xhiros së tetë të Grupit D, ndërsa lojtarët e trajnerit Afrim Tovërlani vlerësohen favorit.

Kosova U21, zë vendin e katërt në grup me 9 pikë të mbledhura, 6 më shumë se Izraeli që renditet I parafundit.

Në ndeshjen e parë të këtyre kualifikimeve mes këtyre dy kombëtareve, të luajtur në nëntor të vitit të shkuar në Podujevë, Kosova U21 pati fituar me rezultatin 3:1.

Kosova U21 ka dy fitore, tri barazime dhe 2 humbje në këto kualifikime dhe matematikisht ka ende gjasa për të siguruar pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm.

Aktualisht, grupit i prinë Gjermania U21 me 19 pikë, e ndjekur nga Polonia me 15 sosh dhe Bullgaria që është e tretë dhe ka 12 pikë të tubuara.

Pas duelit me Izraelin U21, “Dardanët” e rinj do t’i kenë edhe dy ndeshje tjera deri në fund të këtij cikli eliminator, të cilat i luajnë muajin e ardhshëm.

Më datën 11 tetor, Kosova U21 e pret Poloninë, ndërsa katër ditë më vonë luan në udhëtim tek Estonia.

Exit mobile version