Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Danimarkë, nxënësit braktisin shkollat e Gylenit

Danimarkë, nxënësit braktisin shkollat e Gylenit

KOPENHAGEN (AA) – Mësohet se pas tentativës për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik, numri i nxënësve në shkollat që kanë lidhje me FETO-n në Danimarkë është zvogëluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të publikuar pas takimeve me drejtuesit e shkollave nga transmetuesi publik DR, nga shkollat në Danimarkë që kanë lidhje me FETO-n janë larguar 505 nxënës. Ndërkaq, në një hulumtim të TV2 muajin e kaluar ishte thënë se numri i nxënësve ka rënë për 366.

Drejtuesit e shkollave me të cilët DR ka arritur të zhvillojë bisedë, kanë deklaruar që shkaku i zvogëlimit të numrit të nxënësve është cilësimi i këtyre shkollave si “Shkolla të Gylenit”.

Çifti Esmahan dhe Ahmet Kütük që jetojnë në qytetin Helsinge të Danimarkës, thanë që fëmijët e tyre mësonin në shkollën “Hilleröd Privatskole” që ka lidhje me FETO-n, ndërsa pas tentativës për grusht shteti kishin vendosur që fëmijët e tyre t’i largojnë nga kjo shkollë.

Esmahan Kütük tha se ndryshe nga ajo që flitet në median daneze, ata me vetëdëshirë i kanë çregjistruar fëmijët e tyre nga shkolla “Hilleröd Privatskole” që ka lidhje me FETO-n.

Në deklaratën për gazetarin e AA-së, ajo tha: “Fëmija im është 12-vjeç. Do të fillonte në klasën e gjashtë. Gjatë verës ishim me pushime. Pasi pamë ngjarjen e tentativës për grusht shteti, vendosëm që menjëherë ta largojmë nga shkolla. Sepse ne dhamë qindra dëshmorë, për të cilët na u dogj shpirti. Duke qenë kështu, unë kurrë nuk do ta dërgoja fëmijën tim në atë shkollë. Kjo është e pamundur.”

Kütük theksoi se në shtypin danez kishte pasur lajme të tipit “Nga frika, Erdoğan po i çregjistron fëmijët nga shkollat”, duke shtuar se këto lajme nuk e reflektojnë të vërtetën.

Ndërkohë, Ahmet Kütük u shpreh se e do shumë shtetin e tij dhe se ku do që të ndodhet do ta mbrojë atë. “Meqenëse i pamë të vërtetat, meqenëse i përjetuam një nga një ngjarjet në Turqi, vendosëm që fëmijën të mos e dërgojmë në këtë shkollë. Fundja, çfarëdo që të thonë, kjo shkollë është e Fetullah Gylenit”, vazhdoi ai.

Çifti Kütük shtoi se janë duke pasur vështirësi në gjetjen e një shkolle të re për fëmijën i cili prej tri javësh ka ngelur pa shkollë. Ata thane se kanë preferuar që atë ta dërgojnë në ndonjë shkollë private, megjithatë kur kuptojnë se pse janë larguar nga shkolla Hilleröd Privatskole, shkollat private daneze u thonë se nuk ka vende të lira duke refuzuar t’u dalin në ndihmë.

Në një hulumtim që ishte bërë në nga TV2, ishte publikuar lista e shkollave në Danimarkë që kanë lidhje me FETO-n. Sipas listës, shkollat e lidhura me FETO-n janë: Ballerup Privatskole, Falster Efterskole, HAY Skolen, Hilleröd Privatskole, Höje Taastrup Privatskole, Höje Taastrup Private Gymnasium, Köbenhavns Private Gymnasium, Nilen Privat Skole, Phönix Efterskole, Österbro Privatskole, Österbro International School, Salix Skole, Slagelse Privatskole, Vesterborg Efterskole.


Exit mobile version