Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Danimarka thotë se nuk ka “krizë të politikës së jashtme”, i quan...

Danimarka thotë se nuk ka “krizë të politikës së jashtme”, i quan “legjitime” shqetësimet e SHBA-së për Grenlandën

Ministri i Jashtëm i Danimarkës Lars Lokke Rasmussen

Ministri i Jashtëm i Danimarkës Lars Lokke Rasmussen minimizoi shqetësimet për një krizë të politikës së jashtme pas refuzimit të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së Donald Trump për të përjashtuar detyrimin ushtarak ose ekonomik për të marrë nën kontroll Grenlandën, raporton Anadolu.

“Unë nuk e kam idenë nëse jemi në një krizë të politikës së jashtme. Është plotësisht legjitime që pala amerikane të shqetësohet dhe Mbretëria e Danimarkës gjithashtu duhet të jetë në dijeni të tyre”, tha Rasmussen për mediat në Kopenhagë.

Rasmussen i bëri këto komente në përgjigje të disa deklaratave të diskutueshme të bëra nga Trump, duke përfshirë një të martën në të cilën ai refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës.

“Nuk mund t’ju siguroj, ju po flisni për Panamanë dhe Grenlandën. Jo, nuk mund t’ju siguroj për asnjërën nga këto të dyja, por mund ta them këtë, ne kemi nevojë për to për sigurinë ekonomike”, u tha Trump gazetarëve gjatë një konferencë për shtyp në pronën e tij në Mar-a-Lago.

Të hënën, Trump, i cili do të inaugurohet më 20 janar, ringjalli propozimin e diskutueshëm në platformën e tij “Truth Social”, duke deklaruar se “Grenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nëse dhe kur të bëhet pjesë e kombit tonë. Ne do ta mbrojmë atë nga një botë shumë e keqe e jashtme. Ta bëjmë Grenlandën të madhe përsëri”.

Rasmussen, megjithatë, iu përgjigj deklaratave të tilla për dëshirën legjitime të Grenlandës për pavarësi më të madhe duke theksuar rëndësinë e adresimit të shqetësimeve amerikane përmes bashkëpunimit të ngushtë me Grenlandën.

“Siç duket bota tani, është e natyrshme që Shtetet e Bashkuara ta kthejnë vëmendjen te Arktiku”, tha ai.

Kryediplomati danez përmendi shkrirjen e Arktikut si një faktor kyç që tërheq vëmendjen ndërkombëtare, me hapjen e rrugëve të reja të anijeve dhe rritjen e rivalitetit të fuqive të mëdha.

“Për fat të keq, krahas shkrirjes së Arktikut, ne po shohim konkurrencë të shtuar, me Rusinë që riarmatoset në rajon dhe Kina tregon interes në rritje”, vuri në dukje ai.

Ministri pranoi rëndësinë strategjike të Arktikut, por ripohoi angazhimin e Danimarkës për të punuar në bashkëpunim brenda kornizës së Komonuelthit për të kapërcyer sfidat.

Më herët të martën, kryeministrja Mette Frederiksen përsëriti qëndrimin e vendosur të Danimarkës për autonominë e Grenlandës pas thirrjeve të ripërtërira të Trumpit për marrjen e territorit të Arktikut nga Amerika.

“Pikëpamja ime dhe e qeverisë janë shumë të qarta: e ardhmja e Grenlandës do të përcaktohet në Grenlandë. Grenlanda u përket grenlandezëve”, tha Frederiksen për TV2.

Exit mobile version