KOPENHAGË (AA) – Ministrja e Migrimit dhe Integrimit e Danimarkës, Inger Stöjberg, ka njoftuar se janë duke zhvilluar punime lidhur me kufizimin e ndihmave të jashtme dedikuar xhamive në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Stöjberg është takuar me grupin e punës të formuar vitin e kaluar nga disa ministri për të sjellë ndryshime të reja mbi financimet e huaja për komunitetet fetare.
Në një deklaratë për gazetarët pas mbledhjes, Stöjberg tha rekomandimet e grupit kanë lënë të kuptohet se ekziston mendim i përbashkët për vazhdimin e punimeve.
Siç është shprehur Stöjberg, synim i përbashkët përmes punimeve në fjalë janë “xhamitë dhe komunitetet religjioze ekstremiste”. Ajo ka thënë se duke marrë masa të rrepta, dëshirojnë ta parandalojmë lulëzimin e tyre përmes mbështetjeve ekonomike të jashtme.
Ndërkaq, në shtypin danez gjithashtu janë publikuar lajme se ministrja Stöjberg është duke punuar edhe rreth sjelljes së taksave mbi financimet e huaja për xhamitë dhe se në shënjestër të ligjit janë xhamitë.
Ndryshe vendi ishte përfshirë nga debat i gjatë në opinion mbi financimin e xhaminë së parë me minare në Kopenhagë “Qendra e Civilizimit Hamad Bin Khalifa” nga Katari të hapur në vitin 2014 dhe financimin e “Xhamisë Imam Aliu” nga Irani, të hapur në vitin 2015 për pjesëtarët e komunitetit shiitë.
Supozohet se shtatë për qind të popullsisë prej 5,7 milionë banorësh të Danimarkës janë muslimanë.