Dalin rezultatet e para nga zgjedhjet në Mal të Zi

Rezultatet e para të zgjedhjeve të sotme parlamentare në Mal të Zi janë bërë të ditura nga Qendra për Monitorim dhe Kërkim. Janë numëruar 49.8% e votave deri më tani.

Sipas vlerësimeve të para, lista DPS – Përcaktuar për Malin e Zi e Milo Gjukanoviç ka 34.2 për qind dhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” 33.7 për qind.

Koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka 12.6 përqind, “Bardh e zi” pesë përqind, Partia Boshnjake 4.4 përqind, Social Demokratët 4.3, SDP – Mali i Zi i fortë tre përqind, Koalicioni Shqiptar Njëzëri 1.1 përqind, Lista Shqiptare 1.4 përqind, HGI 0.2 përqind.

Sipas CEMI, rezultatet duhet të merren me një rezervë pasi një përqindje e mjaftueshme e mostrës nuk është përpunuar ende.

Përfaqësuesja e Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, Maja Bjeliq, tha se ekipi juridik CEMI pranoi më shumë se 660 raportime për parregullsi gjatë zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën sot.