Dalin në shtyp 17 vëllime – Veprat e Dr. Musli Vërbani

17 vëllime – 5680 faqe – autor Dr. Musli Vërbani

Këtyre ditëve doli nga shtypi botimi i veprave voluminoze, 17 librave me gjithsej 5680 faqe të intelektualit, publicistit, veprimtarit dhe hoxhës – Dr. Musli Vërbani.

Libra shumë të nevojshëm, të duhur dhe të domosdoshëm për çdo familje, për çdo njeri.

Libri i parë, me 289 faqe, përmban shumë njohuri që duhet t’i dijë njeriu për bazat e besimit, për Zotin, melaqet, librat e Zotit, pejgamberët e Zotit, ditën e kijametit dhe kaderin.

Libri i tregimeve nga jeta e Muhamedit a.s., si dhe shumë gjëra që duhet të dihen nga fikhu – namazi, zekati, haxhi, janë në librin e dytë prej 355 faqesh.

365 tregime për fëmijë, tregime nga Kurani, nga jeta e pejgamberëve, nga jeta e Muhamedit a.s., për sahabet e Muhamedit a.s., për njerëzit e devotshëm, për gratë në Kuran dhe për historinë e tyre të lavdishme, për kafshët, shpendët dhe insektet e përmendura në Kuran dhe tregime të ndryshme nga çdo sferë e jetës së muslimanit, i gjeni në vëllimin e katërt me 425 faqe.

Libër që prindërit dhe gjyshërit të kënaqen duke u treguar fëmijëve dhe nipërve, duke u larguar nga ato tregime mitike, me shtriga e kulshedra, me ujq e shtazë të egra, plot frikë e absurditet dhe shumë të dëmshme për psikën e fëmijës.

Libri i virtyteve dhe cilësive të mira e të duhura të njeriut – besimtarit është një tjetër vëllim me 287 faqe.

Libri për mësimin e shkronjave të Kuranit, libri i texhvidit, libri “Dritë e jetës”, lutje, rukje dhe duatë e shumta, libri për trashëgiminë, testamentin, vakëfin, ixhtihadin, kurbanin, libri për të drejtën e trashëgimisë në Islam, libri për emërtimet e fëmijëve, nata e dhëndërisë, shkurorëzimi, dita e vdekjes dhe varrimi, janë vëllimet e radhës nga numri 5-9 në rreth 1400 faqe.

Usuli Fikhu për fillestarë dhe rregullat e Fikhut janë vëllimi 10 dhe 11.

Libri me tema të zgjedhura nga lëmi dhe fusha të shumta jetësore, që kanë të bëjnë me njeriun, familjen, shoqërinë dhe shtetin, i gjeni në vëllimin e 13 në 242 faqe.

Vëllimi 14 dhe vëllimi i 15 përmbajnë 101 hutbe të shkurtra për imamët fillestarë dhe 52 hutbe të xhumasë me komentimin e 23 sureve të fundit të Kuranit, gjithsej 1086 faqe.

Në librin e 16-të, të titulluar “Shkurt dhe qartë”, mund të gjeni shkrime të shkurtra për rreth 500 çështje interesante që ia vlen të lexohen, të cilat autori i ka ndarë në 10 kapituj.

Libri i fundit, vëllimi i 17-të, me kujtime nga lufta, dëshmorët e prillit në Rakoc dhe Lagje të Re, Fadil Çaka – Komandant Sharri dhe kapitulli i fundit “Dëshiroj të jem ai që nuk duhet të jem”, është libër që autori ka konsideruar si përmbyllje të këtyre vëllimeve me kujtime të shumta nga frontet e luftës ku ai ishte pjesëmarrës.

Për këto dhe shumë gjëra të tjera, Dr. Musli Vërbani i dhuroi lexuesve dhe familjeve shqiptare 17 vëllime që besoj se lexuesit do të jenë shumë të kënaqur me tërë atë material të publikuar në 5680 faqe.

Kanë fituar besimtarët që kanë vepra, që lënë vepra.

Prandaj Allahu xh.sh. në Kuran shumë herë ka potencuar se besimtarët janë ata që bëjnë vepra të mira dhe në shumë ajete ka thënë: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj…”

Dr. Musli Vërbanit i takon një mirënjohje e madhe për mundin e madh dhe një falënderim për këto vepra kaq të duhura që praktikisht ia dhuroi familjeve shqiptare.

Libra jo për rafte të bibliotekave, por që t’i kemi në duar, në tavolinën e punës dhe në dhomat ku i rrisim fëmijët dhe nipërit tanë.

Nga: Ubejd Gashi