Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listat e votuesve jashtë Kosovës, për zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen më 11 qershor.
Në këtë listë shihet se votuesit nuk janë vetëm shqiptarët që kanë shtetësinë e Kosovës dhe dëshirojnë të votojnë jashtë vendit, por edhe qytetarë të nacionalitetit serb. Në total numri i tyre rezulton të jetë 14 mijë e 808 persona.
Edhe kësaj here, votuesit jashtë Kosovës, përfshirë diasporën, janë anashkaluar nga institucionet në Prishtinë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka e pranon se një pjesë e madhe e diasporës nuk do të mund të votojë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, por thotë se KQZ nuk mund të fajësohet për këtë, sepse afatet kanë qenë të shkurta, kurse procedurat ligjore kërkojnë më tepër kohë.
“Me siguri që mërgimtarët do të mbesin pa votuar, po jo me fajin e KQZ-së. Është fakt i pamohueshëm që ligji që është në fuqi, e parasheh mënyrën e aplikimit për regjistrim si votues, pastaj janë proceduara të komplikuara, të cilat po të ishin zgjedhje të rregullta do të zgjasnin me muaj. Kurse, neve kemi pasur 7 ditë që të aplikohet për regjistrim. Pra, afatet kanë qenë jashtëzakonisht të shkurtra. Pastaj, teknikisht, ne ua kemi mundësuar të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të aplikojnë edhe online (përmes internetit)”, thotë ajo.