“Dal jashtë vetëm për t’i hedhur mbeturinat, as në pazar nuk shkoj”

Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, e ka bërë të qartë se është duke i ndjekur rregullat e qeverisë spanjolle dhe udhëzimet shëndetësore, duke qëndruar brenda në shtëpi, pasi ka thënë se del jashtë vetëm për t’i hedhur mbeturinat 50 metra larg, shkaku i pandemisë koronavirus.

Qeveria spanjolle e ka vendosur një seri kufizimesh ndaj qytetarëve të vet, në përpjekje për ta ndalë përhapjen e sëmundjes ngjitëse Covid-19, transmeton Gazeta Express.

Përfaqësuesi i Kroacisë ka zbuluar se përgatitjet për ngujim i kishte nisur që prej ndeshjes së Barcelonës kundër Napolit në Itali dhe se madje nuk ka dalë jashtë as për të bërë pazar.

“Kam dalë jashtë vetëm për t’i hedhur mbeturinat, vetëm 50 metra larg shtëpisë dhe kjo është e vetmja gjë për të cilën kam dalë në rrugë”, tha Rakitic për kanalin zyrtar të Barcelonës.

“Për këtë jam përgatitur që prej ndeshjes me Napolin dhe kam bërë shumë pazar. Tani është koha të qëndrojmë të bashkuar të gjithë ne”, shtoi ai.