Me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, u ka bërë thirrje partive t’u përmbahen rregullave dhe të mos përdorin gjuhë denigruese gjatë fushatës elektorale.
Ajo ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) do të shqiptojë gjoba për ata që nuk i respektojnë rregullat në këtë proces zgjedhor.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Daka ka vlerësuar se, pavarësisht prej sfidave, KQZ-ja do të organizojë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike në çdo cep të Kosovës.
Ajo ka bërë me dije se janë ndërmarrë masat për t’i parandaluar manipulimet e mundshme më 11 qershor.
“Në ditën e parë të fushatës nuk ka pasur ndonjë parregullsi apo shkelje të rregullave. Si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ftoj të gjitha subjektet politike dhe të gjithë pjesëmarrësit e tubimeve të fushatave zgjedhore që gjatë këtyre ditëve t’u përmbahen rregullave të parapara, ta respektojnë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, t’i respektojnë rregullat për fushatë zgjedhore, si dhe gjuha e fushatës të jetë demokratike e jo denigruese”, është shprehur Daka.
Ajo ndër tjerash ka thënë se “me siguri se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) do të shqiptojë gjoba për ata që nuk u përmbahen rregullave të fushatës zgjedhore dhe dispozitave ligjore”, ka deklaruar Daka.