”Daimleri” shkurton 15.000 vende pune

Gjiganti gjerman i automjeteve “Daimler”, do të shkurtojë 15.000 vende pune ose 5.000 më shumë nga sa ishte planifikuar fillimisht, sipas mediave gjermane.

“Presidenti i ‘Daimlerit’, Ola Kaellenius, pritet të zbulojë planet të martën, kur kompania të paraqesë rezultatet e saj për vitin 2019”, njoftoi e përditshmja ”Handelsblatt” , duke cituar burime brenda kompanisë.

Në raport thuhet se “Daimleri” planifikon të zvogëlojë fuqinë punëtore, duke ofruar kompensim për shkurtimin e vendeve të punës, si edhe pension të parakohshëm dhe të pjesshëm, në përpjekje për të kursyer mbi 1,4 miliardë euro.

Prodhuesi i makinave luksoze me qendër në Shtutgart, që zotëron kompaninë “Mercedes-Benz”, kishte njoftuar më parë planet për shkurtimin e 10.000 vendeve pune, si pjesë e një programi për uljen e kostove, në një kohë të vështirë për sektorin kryesor automobilistik të Gjermanisë.