Ballina Lajmet Rajon dhe Botë DAESH pranon përgjegjësinë e sulmeve në Kabul

DAESH pranon përgjegjësinë e sulmeve në Kabul

Organizata terroriste DAESH ka marrë përgjegjësinë e shpërthimeve që tronditën kryeqytetin e Afganistanit, Kabul të enjten me pasojë dhjetëra të vdekur.

Shpërthimi i tretë ndodhi pranë Spitalit të Ndihmës së Parë, ku ishin dërguar të vrarët dhe të plagosurit në sulmet e mëparshme me bomba pranë Aeroportit “Hamid Karzai”.

Rrjeti “BBC” në një lajm mbështetur në deklaratat e një zyrtari të lartë shëndetësor, njoftoi se të paktën 60 persona u vranë dhe 140 u plagosën në sulmin e tretë sipas përcaktimeve të para.

Numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në shpërthimet që ndodhën pranë zonës ku ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai” u rrit në 12.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) njoftoi se në sulmet kamikazë janë plagosur edhe 15 ushtarë.

Përgjegjësinë e sulmeve e pranoi organizata terroriste DAESH.

Të enjten në kryeqytetin afgan, Kabul, ndodhën 6 shpërthime të ndara, i fundit u krye në mënyrë të kontrolluar nga forcat amerikane.

Ndërkaq Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden në deklaratën e parë që bëri pas takimit me videokonferencë me zyrtarët amerikanë në Afganistan u zotua se Shtetet e Bashkuara do t’i kapin ata që qëndrojnë pas sulmit.

“Mendojmë se këtë sulm e ka kryer grupi i DAESH-it në Horasan. Ata që e kryen këtë sulm duhet ta dinë: Ne nuk do të falim; ne nuk do të harrojmë; do ta paguani”,- tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

Kurse gjenerali amerikan Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) tha gjatë një konferencë për shtyp në Pentagon se ata presin që DAESH-i t’i vazhdojë sulmet.

Forcat amerikane e kanë nën kontroll aeroportin teksa vazhdojnë evakuimet përpara afatit të 31 gushtit.

Mijëra njerëz janë duke pritur në aeroport për evakuim, ndërsa turma të mëdha janë mbledhur jashtë territorit të aeroportit, duke kërkuar të futen brenda aeroportit dhe të largohen nga vendi. /trt

Exit mobile version