Ç’thotë Kurani për njeriun

Prof. Dr. Safvet Haliloviç

Termi insan (njeri) në Kuranin fisnik përmendet 65 herë. Vihet re se në ajetet ku përmendet ky term, shfaqen një sërë karakteristikash të njeriut, të cilat paraqesin natyrën thelbësore dhe qenien e brendshme të tij. Kurani fisnik thekson rëndësinë e fesë dhe të ndjekjes së drejtimit që trasoi i Dërguari i fundit, Muhamedi, a.s., për faktin se kjo është rruga e drejtë që çon në vetëdijësimin e vërtetë të njeriut.

Njeriu është qenie e dobët

Në Kuran, termi insan përmendet të parën herë në suren En-Nisa’, ajeti 28. , ku thuhet: “All-llahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’i përballuar epshet).”
Është interesante se në këtë përmendje të parë të njeriut në tekstin kuranor, shfaqet karakteristika thelbësore e njeriut: njeriu është qenie e pafuqishme dhe e dobët (ve hulika-l-insanu da’ifa). Nyja shquese në termin (el-)insan, tregon se kjo ndërlidhet me secilin njeri. Pra, nuk është i dobët dhe i pafuqishëm vetëm se ai është i sëmurë ose i moshuar, porse kjo është cilësi e çdo njeriu. Për se, atëherë, është kështu?
Që të kemi një përgjigje të drejtë për këtë pyetje, është e udhës që, shkurtimisht, të vështrojmë përbërjen konstitucionale të trupit të njeriut. Nga aspekti mjekësor, trupi i njeriut përbëhet prej njëmbëdhjetë, gjegjësisht dymbëdhjetë sistemeve të ndryshme, nëse do ta numëronim edhe sistemin e imunitetit. Ato janë: sistemi nervor, eshtëror, muskulor, kardiovaskular, sistemi i lëkurës, limfocitet, sistemi endokrin (endokrinologjia – shkenca mbi gjëndrat), sistemi i urinës, sistemi digjestiv (i tretjes), reproduktiv dhe sistemi respiratorik. Që trupi i njeriut të funksionojë, është i nevojshëm secili nga këto sisteme, përveç atij të riprodhimit (reproduktiv). Sistemi i riprodhimit është i patjetërsueshëm për ruajtjen e llojit, por jo edhe për ekzistimin e individit. Po, trupi i njeriut nuk mund të ekzistojë pa sistemet e tjera. Pra, në qoftë se do të kishte ndonjë çrregullim në ndonjërin prej këtyre sistemeve të ndërlikuara, atëherë do të shkaktohej dhembje në organizmin e njeriut, kurse pushimi i plotë i ndonjërit nga sistemet, pashmangshëm çon në ndërprerjen e jetës së njeriut në këtë botë.
Allahu i Lartësuar, i Cili e ka krijuar njeriun, e njeh më së miri natyrën dhe qenien e tij. Kurani fisnik është udhëzim për njeriun, udhëzim që Krijuesi e shpalli për të. Në Kuran thuhet: “All-llahu dëshiron t’ju lehtësojë. . . ” Pra, qëllimi i Shpalljes së Zotit është që njeriut t’ia lehtësojë rrugën e vështirë të dynjasë.
Dijetari i shquar islam, Ibn Kajjim El-Xhevziu, në një nga veprat e tij shënon transmetimin në të cilin thuhet se Allahu xh.sh. ., përgjatë historisë, njerëzimit i ka dërguar njëqind e katër Libra Qiellorë. Pastaj të gjithë këta i ka shpallur në tre Libra (shpallje) të mëdha, që janë: Teurati, Zeburi dhe Inxhili, në mënyrë që më pastaj këta t’i përmbledhë në një, që është Kurani. Më tutje, theksohet në transmetim se Kurani, respektivisht kuptimi i tij, është përmbledhur në një sure të vetme, e cila quhet Fatiha, e kjo sure është përmbledhur në një ajet. Ky ajet është “Ij-jake na’budu ve ij-jake neste’in – Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti kërkojmë ndihmë!”
Pra, mesazhi esencial i të gjitha njohurive Qiellore është përfshirë në këtë ajet, i cili, pa kurrfarë dyshimi, sugjeron që njeriu është një qenie e dobët, gjegjësisht krijesë së cilës i nevojitet ndihmë.
Edhe pse me kërkimin e ndihmës, për se flet ky ajet kuranor, sipas mendimeve të komentuesve të mëdhenj të Kuranit, siç janë Ibn Kethiri e të tjerë, në radhë të parë mendohet të kërkuarit e ndihmës që të adhurohet vetëm Allahu i Madhërishëm, – përsëri nga ajeti nënkuptohet që njeriu është një qenie e dobët, së cilës i nevojitet ndihmë edhe në çdo pikëpamje tjetër. Allahu i Lartësuar e shpalli Kuranin dhe për të ka garantuar se nuk do të pësojë kurrfarë ndryshimi apo modifikimi. Dispozitat dhe urdhëresat kuranore kanë për qëllim që njeriun ta forcojnë dhe ta ngrenë në shkallën që ai të mos bëhet rob i materies, epshit, idhullit apo i ndonjë gjëje tjetër, ose që jeta e tij të mos jetë e zhveshur nga kuptimet dhe dimensionet shpirtërore.
Është interesant fakti që aty ku përmendet njeriu për herë të parë në Kuran, pikërisht aty është vënë në dukje karakteristika e tij – që ai është një krijesë e dobët dhe e pafuqishme. Kjo mund të ndërlidhet me përmendjen e fundit të njeriut në Kuran, respektivisht në suren El-‘Asr (Pasha kohën), ku thuhet: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”
Pra, njeriu, kjo krijesë e dobët dhe e pafuqishme, nuk do të jetë në humbje përderisa i përmbahet Rrugës së Kuranit, që nënkupton besimin e fuqishëm, kryerjen e veprave të mira dhe durueshmërinë, gjëra të rëndësishme këto për të qëndruar i paluhatur në këtë Rrugë.
Në ajetet ku përmendet njeriu, vihen re edhe karakteristika të tjera të kësaj krijese të mrekullueshme, të cilat mund t’i shohim si vijon:
1. Njeriu në fatkeqësi kërkon ndihmën e Zotit, kurse në mirësi bëhet harrestar. Kjo theksohet në shumë ajete kuranore:
“E kur njeriun e godet dëmi, ai na lutet shtrirë qoftë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikurse të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pati goditur. Kështu kriminelëve u duket mirë ajo që veprojnë. ” (Junus, 12)
“Po, nëse Ne i japim njeriut ndonjë begati nga ana jonë, e pastaj ia marrim atë prej tij, ai do të jetë i dëshpëruar dhe përbuzës. ” (Hud, 9)
“E kur njeriun e godet ndonjë e keqe (ndonjë dëm), ai e lut Zotin e vet duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, e kur nga ana e Tij i jep ndonjë të mirë (ia largon të keqen), ai e harron atë që më parë i është lutur Atij, dhe i bën shokë All-llahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaqu për pak kohë me mosbesimin tënd, se ti pa dyshim je nga banuesit e zjarrit!”(Ez-Zumer, 8)
2. Njeriu është jofalënderues, e, kur sprovohet, dëshpërohet. Ja disa ajete që flasin për këtë:
“E kur ju kap ju paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, ju mbetet vetëm Ai (Allllahu), mirëpo, pasi t’ju shpëtojë Ai e të arrini në tokë, ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës. ” (ElIsra, 67)
“E kur e begatojmë (me të mira) njeriun, ai prapësohet dhe largohet i mashtruar, e, kur e godet e keqja, ai humb shpresën. ” (El-Isra, 83)
“Ne kur e begatojmë njeriun, ai nuk falënderon dhe largohet, e kur e godet e keqja, ai përulet dhe lutet shumë. ” (Fussilet, 51)
“E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, thotë:
“Zoti im më ka nderuar! Por, kur për ta sprovuar, ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!” (El-Fexhr, 15-16. )
“Vërtet, njeriu është përbuzës ndaj Zotit të vet. ” (El-Adijat, 6. )
3. Njeriu është i ngutshëm, koprrac, ka natyrë polemizuese, madje është i padrejtë edhe ndaj vetvetes. – Këto karakteristika të tij përmenden në këto ajete vijuese:
“Dhe Ai ju dha gjithë atë që kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (nga numri). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës. (Ibrahim, 34)
“Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (po Zoti nuk e pranon lutjen e tij për keq); njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm. ” (El-Isra’, 11)
“Thuaj: “Sikur t’i kishit depot e begative të Zotit tim, nga frika se po shpenzohen, do të bëheni koprracë; njeriu është dorështrënguar”. (ElIsra’, 100)
“Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çfarëdo tjetër është kundërshtar. ” (El-Kehf, 54.)
“Njeriu, nga vetë natyra e tij, është i ngutshëm, e Unë do t’jua tregoj juve masën Time ndëshkuese, pra mos kërkoni t’u vijë më shpejt. ” (El Enbija’, 37)
“Ne u ofruam amanetin (obligimet) qiejve, Tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri të padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm. ” (El-Ahzab, 72)
4. Njeriu bëhet mospërfillës në momentin kur ndihet i pavarur. Është interesante se kjo karakteristikë e tij theksohet në suren el-Alek, dhe kjo menjëherë pas pesë ajeteve të para, për të cilat ka konsensus nga dijetarët se janë ajetet që iu shpallën të parat të Dërguarit të Allahut, a.s.. Allahu i Lartësuar, duke e përshkruar natyrën e njeriut, thotë: “Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, / Për shkak se e ndien veten të pavarur. ” (El-‘Alek, 6-7)
5. Shprehja kuranore taga, jetga, tugijan (in-ne-l-insane lejetga), e përdorur për të treguar këtë karakteristikë të njeriut, ka më shumë se një kuptim: kapërcim i kufijve, të jesh i dhunshëm, i padrejtë, mizor, i padëgjueshëm, mendjemadh, etj.
Nga e njëjta rrënjë, gjithashtu, është formuar fjala tagija, që nënkupton njeriun e dhunshëm, tiranin, shtypësin, faqeziun, mendjemadhin, etj.
Pra, njeriu i kapërcen kufijtë e së mirës dhe së lejuarës, gjegjësisht kalon në sferën e asaj që është e dëmshme dhe e ndaluar, dhe kjo në moment kur veten e ndien të pavarur dhe të mjaftueshëm. Duke pasur parasysh këtë shprehje kuranore, e kuptojmë që çrregullimi i paraqitur në sipërfaqe të tokës ka filluar atëherë kur njeriu harroi Zotin e Tij dhe kur mendoi se është i pavarur nga Ai.
Në bazë të kësaj që u theksua, mund të kuptojmë që fatkeqësitë njerëzore, si sëmundjet, fukarallëku dhe sprovat e tjera, janë në funksion të asaj që njeriun ta bëjnë të varur nga Allahu, meqë ai, në raste të këtilla, e ndien nevojën për ndihmën e Zotit. Nëse njeriut do t’i shkonte gjithçka lehtë dhe pa probleme në jetën e tij, dhe po të mos përballej me fatkeqësi e sprova, atëherë, vërtet do të ekzistonte frika se ai mund të ndihej i pavarur dhe të bëhej i dalldisur, duke thyer kështu çdo kufi që i ka caktuar Krijuesi dhe Zoti i tij.
6. Njeriu mëton të arrijë gjithë atë që dëshiron, kurse atij i takon vetëm ajo për të cilën jep mund. “A mos do t’i takojë njeriut ajo që ai e dëshiron (Jo)?” (En-Nexhm, 24.)
“Dhe se njeriut nuk i takon tjetër, veçse ajo që ka punuar. ” (EnNexhm, 39) “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd Që është bujar e i urtë? I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi! Jo, nuk është ashtu. Ju përgënjeshtroni ditën e përgjegjësisë. Kurse ndaj jush i kanë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm tek Allllahu. Ata e dinë se ç’punoni. ” (El Infitar, 6-12).
7. Njeriu është i krijuar me një natyrë jo të qetë.
“Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm. Sepse, kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac. ” (ElMe’arixh, 19-21)
Në këto ajete kuranore bëhet fjalë për një cilësi shumë të rëndësishme të njeriut. Shprehja kuranore helu’an (in-ne-l-insane hulika helu’an) tregon se njeriu është krijuar me një natyrë të brendshme shqetësuese, e cila ndonjëherë ka mundësi ta nxitë për arritje të mëdha, sikur edhe për pakënaqësi dhe brengë kronike. Me fjalë të tjera, mënyra sesi e shfrytëzon njeriu këtë dhunti të Zotit, përcakton faktin se ç’karakter do të ketë ai, pozitiv apo negativ. Ajetet vijuese në këtë sure (20. dhe 21.) aludojnë këto pasoja, kurse ajetet 22-25 tregojnë se vetëm vetëdija e vërtetë shpirtërore e morale mund ta formojë në forcë pozitive atë shqetësim të natyrshëm të njeriut, dhe kështu ta sjellë në stabilitet të brendshëm dhe kënaqësi të përhershme.
8. Njeriu ka dilema për sa i përket Ringjalljes pas vdekjes. Këtë ndjesi të njeriut Kurani fisnik e thekson në ajetet vijuese:
“E njeriu thotë: “A thua njëmend, pasi të vdes, do të nxirrem i gjallë (do të ringjallem)?” (Merjem, 66), mirëpo njëkohësisht Kurani jep edhe përgjigjen:
“Ai jua dha jetën, ju bën të vdisni, e pastaj ju ringjall. Vërtet, njeriu është mospërfillës. ” (El-Haxh, 66).
“A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam prej një pikë uji (fare), kur qe, ai kundërshtar i rreptë. Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur? “Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim. Ai që prej drurit të gjelbër ju bëri zjarrin, e ju prej tij ndezni (zjarre)”. A nuk është i fuqishëm Ai Që krijoi qiejt e Tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po, Ai është Krijuesi, i Dijshmi. Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet. I lartë është Ai në dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai ktheheni.” (Ja-Sin, 77-83.)
“A mendon njeriu se nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij? Po, do t’ia tubojmë! Duke qenë se Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij! Por, njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në mëkate. Andaj edhe pyet: “Kur është dita e kiametit?”(El-Kijame, 3-6).
Në këto ajete, që flasin për njeriun, përmenden edhe disa përcaktime në lidhje me jetën e njeriut në botën tjetër. Gjithashtu, në një sërë ajetesh flitet për shejtanin si armiku i hapur i njeriut, si edhe për urdhrin ndaj njeriut, që të jetë i kujdesshëm veçanërisht ndaj prindërve të tij. Pra, në ajetet ku përmendet njeriu, ngërthehen kuptime të shumta që zbulojnë natyrën e tij. Kurani fisnik e përshkruan njeriun si individ lakmitar, të rrezikshëm dhe mosmirënjohës. Përjashtim bëjnë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.
Në suren e fundit ku përmendet njeriu, Allahu i Lartësuar betohet dhe thekson – “se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. ”
Pra, vetëm këta nuk do të jenë në humbje. Kjo në mënyrë të veçantë flet për rëndësinë e madhe të fesë në jetën e njeriut.

Prof. Dr. Safvet Haliloviç
Përktheu: Mehas Alija
Novi Horizonti, nr.116, Prill, 2009

Dituria Islame 230