Për synimet e errëta të një hakmarrjeje të re kundër myslimanëve në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarqet serbe dhe qarqe të caktuara islamofobike europiane kanë rekrutuar edhe ndoca eksponentë vendorë, të cilët zhvillojnë luftë speciale psikologjike kundër shqiptarëve myslimanë pikërisht në Kosovë. Motoja e kësaj lufte speciale është se gjoja kalimi në Islam ka qenë devijim nga shqiptarizmi, prandaj myslimanët nuk janë shqiptarë, por janë turko-arabë. Çuditërisht në këtë pikë teza e tyre është e njëjtë me atë të krimineles serbe së luftës, Bilana Pllavshiqit, e cila për myslimanët e Bosnjës thoshte se “bëhet fjalë për një material gjenetikisht të dëmtuar serb, që kishte kaluar në Islam”. Ka vite që kjo tezë bio-raciste e Bilana Pllavshiqit është adoptuar për përdorim edhe këtu në Kosovë, kundër shqiptarëve të besimit islam. Bile sa më shumë që po konsolidohet agresiviteti serb kundër Kosovës, aq më shumë po shtohet edhe kjo lloj lufte speciale e eksponentëve islamofobë lokalë. Nuk ka asnjë dilemë që Serbia definitivisht i është rikthyer politikës së kryqëzatës ortodokse në drejtim të Kosovës, sipas modelit që pati zbatuar më shumë në Bosnjë. Në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta nuk pati sukses ta zbatonte, sepse ajo doktrinë iu komprometua tërësisht në Bosnjë. Në këtë kontekst, edhe roli aktiv i katolikëve shqiptarë, si pjesë integrale e lëvizjes për pavarësi e çlirim në Kosovë, që nga pajtimet e gjaqeve, organizatat humanitare, lëvizja politike e deri te pjesëmarrja në UÇK, ua pati djegur në dorë letrat fundamentalistëve ortodoksë serbë dhe shërbëtorëve të tyre. Por, Serbia po tenton t’i rikthehet atij projekti, e bindur se shqiptarët në realitetet e reja, të provokuar vazhdimisht, ka mundësi ta humbin orientimin strategjik. Kjo shihet qartë jo vetëm në deklarimet e hierarkëve ortodoksë serbë dhe politikanëve serbë. Absurde është që kjo shihet edhe në nisma vendore absurde të frymës së Rekonkuistës, të emërtuar si gjoja iniciativë për braktisjen e fesë islame. Në esencë, hapja e kësaj teme synon të shërbejë si provokim për ta shndërruar reagimin e shumicës në një “provë të ekstremizmit islamik”, ndërsa atë reagim pastaj Serbia ta shfrytëzojë si “corpus delicti” për ta rimarrë sërish kujdestarinë për disiplinimin e myslimanëve të Ballkanit, me theks te shqiptarët e Kosovës, meqë ata jetojnë në tokën të cilën serbët e kanë shpallur “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb”. Por, ne – shqiptarët e Kosovës – nuk kemi asnjë arsye ta humbin orientimin atlantik. Serbia e ka humbur Kosovën në procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, me spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare që ka shkaktuar. Serbia e ka humbur Kosovën në konfrontim me NATO-n. Prandaj ëndrra e saj për kthim hakmarrës në Kosovë nuk mund të realizohet kurrë përderisa Kosova e shqiptarët janë aleatë dhe pjesë e Aleancës Veriatlantike. Derisa është kështu, ëndrra e Serbisë mbetet vetëm një makth i saj. Pas dënimit të krimit të gjenocidit në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pozita e Serbisë do të jetë në mënyrë afatgjate e kompromentuar. Përfundimisht mund të thuhet se vetëm nëse në Kosovë triumfon antiatlantizmi dhe nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë e ashtu ta kërcënonte Europën, ai halucinacion i saj mund të tentojë të ringjallet. Por, nuk duhet të injorohet pretendimi i saj kurrë, sepse siç ka thënë ideologu i Putinit, Aleksandër Dugin, lufta e Rusisë për ta rikthyer Kosovën brenda shtetit serb do të vazhdojë deri në ditën e fundit në Tokë!
Fragment nga: Srebrenica është maja e ajsbergut e gjenocidit serb kundër myslimanëve të Ballkanit