COVID: Cilat shtete po i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe pse?

Sipas BBC, fëmijët nga mosha 12-15 vjeç në Britaninë e Madhe, do të vaksinohen nga qindra skuadra shëndetësore që po vizitojnë shkollat anë e mbanë vendit në mënyrë që nxënësit të kenë mundësi të qëndrojnë nëpër klasa.

Ekspertët shëndetësorë britanikë kanë rekomanduar që kësaj grup-moshe t’i jepet vaksina Pfizer, dhe vetëm njëra dozë.

Shtete të tjera kanë kohë që i vaksinojnë adoleshentët – por qasjet e secilës ndryshojnë.

Ç’po ndodh në Europë?

Në maj, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) aprovoi vaksinën Pfizer për moshat 12-15 vjeç. Që atëherë, shtete të ndryshme të BE kanë bërë hapa para por me ritme të ndryshme.

Danimarka (12-15 vjetarët) dhe Spanja (12-19 vjetarët) kanë nisur tashmë të vaksinojnë popullsinë e tyre minorene me të paktën një dozë.

Franca gjithashtu ka lëvizur me shpejtësi në këtë drejtim duke vaksinuar të paktën 66% të popullsisë së saj nga 12-17 vjeç, me një dozë dhe 52% me të dyja dozat.

Që nga tetori, certifikatat e vaksinimit u bënë të detyrueshme edhe për moshat nën 18 vjeç, që do të thotë se adoleshentët duhet të paraqesin provën që janë vaksinuar ose një test negativ nëse duan të kenë akses në kinema, muze, restorante apo qendra tregtare.

Në Gjermani, në muajin qershor këshilltarët shkencorë vendas rekomanduan që vaksina t’u jepet vetëm fëmijëve të moshave 12-15 vjeç, të cilët paraqesin probleme shëndetësore. Por në gusht, pasi varianti Delta nisi të përhapej me ritme të shpejta, vaksinimi masiv u shtri edhe tek moshat mbi 12 vjeç.

Në Suedi, fëmijët nga mosha 12-15 vjeç mund të vaksinohen vetëm nëse kanë një problem me mushkëritë, astmë të avancuar ose ndonjë sëmundje tjetër serioze.

Në Norvegji, vaksinimi masiv u shtri edhe tek fëmijët 12-15 vjeç kohët e fundit, por vetëm me një dozë.

SHBA

Në maj, rregullatorët në SHBA dhe Kanada ishin të parët që aprovuan vaksinën e Pfizer për fëmijët nga 12 vjeç e lart. Vaksinimi masiv nisi menjëherë në vende të ndryshme të SHBA, duke administruar 2 doza të vaksinës, në një periudhe 3 javë larg njëra tjetrës.

Në fund të korrikut, 42% e fëmijëve 12-17 vjeç kishin marrë dozën e parë ndërsa 32% i kishin marrë të dyja – Pfizer ose Moderna.

Delta dhe përhapja e saj masive gjatë verës ishte ajo që i detyrojë shumë shtete të SHBA të shtrinin vaksinimin edhe tek fëmijët.

Kina – ka aprovuar një linjë vaksinash vetëm për fëmijët 3 vjeç e sipër.

Në qershor, ajo filloi të lejonte fëmijët nga 3-17 vjeç të vaksinoheshin me një dozë të prodhuar nga Sinovac, duke e bërë atë shtetin e parë në botë që aprovonte vaksinimin për një grup-moshë kaq të re.

Kina ka vendosur një objektiv për të vaksinuar 80% të popullsisë së saj prej 1.4 miliardë banorësh, deri në fund të vitit.

Teorikisht, vaksinimi kundër COVID në Kinë është vullnetar por disa qeveri lokale janë shprehur se nuk do t’i lejojnë studentët të kthehen në shkolla nëse ata dhe e gjithë familja e tyre nuk është vaksinuar.

Vaksina Sinovac përdoret nga shumë shtete në Azi, Afrikë dhe Amerikë Latine. /euronews