Disa vende evropiane, po fillojnë javën e re me masa lehtësuese të izolimeve të rrepta për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Të hënën, në Gjermani do të lejohet hapja e dyqaneve të vogla dhe në shkolla do të rifillojë mësimi për ato klasa që kanë provime të diplomimit.
Javën e kaluar, Berlini tha se shkalla e të infektuarve nga koronavirusi ishte ngadalësuar dhe se shpërthimi ishte nën kontroll – ndërsa paralajmëroi se njerëzit duhej të ishin vigjilentë për të shmangur një valë të dytë të përhapjes së virusit.
Gjithashtu nga e hëna, Polonia do të rihapë parqe dhe pyje dhe në Norvegji, çerdhet do të rihapin dyert e tyre për fëmijët.
Republika e Çeksë do të lejojë hapjen e disa dyqaneve të vogla dhe në Shqipëri, industria e minierave dhe e naftës do të fillojë sërish së funksionuari.
Sidoqoftë, Spanja, e cila ka vendosur masat më të ashpra në Evropë, dhe Franca kanë vendosur që të zgjasin masat e izolimit edhe për disa javë të tjera.
Megjithatë, në Spanjë, fëmijëve do t’u lejohet të kalojnë ca kohë jashtë shtëpisë.
Ky vend ka regjistruar më shumë se 20,000 persona të vdekur prej fillimit të pandemisë, ndërkohë që pothuajse 200,000 persona janë infektuar.