Mbretëria e Bashkuar tha të martën se do të ofrojë një dozë të tretë të vaksinës së koronavirusit për të gjithë mbi 50 vjeç dhe njerëz të tjerë të cenueshëm për të ndihmuar vendin të shpëtojë pandeminë gjatë muajve të dimrit.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi të martën se do të vaksinojë me një dozë të tretë anti-COVID të gjithë personat mbi 50 vjeç dhe ata që janë me sëmundje shoqëruese.
Injektimi me dozën e tretë, që do të zbatohet javën e ardhshme, u miratua një ditë pasi qeveria mbështeti planin për të ofruar një dozë vaksine te fëmijët nga 12 deri në 15 vjeç.
Njoftimi u bë me dije ditën kur kryeministri Boris Johnson paraqiti planin e qeverisë për trajtimin e COVID-19 gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit në Angli. Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut konfirmuan se do të bëjnë lëvizje të ngjashme.
Nga konferenca e shtypit në Downing Street, kryeministri e quajti situatën e pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar “më sfiduese” sesa një vit më parë.
Trupi këshillues i qeverisë, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), rekomandoi që vaksinimet përforcuese t’i ofrohen kujtdo mbi 50 vjeç, punonjësve të kujdesit shëndetësor, njerëzve me kushte të rënduara shëndetësore dhe atyre që jetojnë me njerëz të sëmurë. Ato do të jepen jo më herët se gjashtë muaj pasi një person merr dozën e dytë të vaksinës. /euronews