Gjermania ka klasifikuar tërë Francën si një zonë me rrezik të lartë për infektimet me COVID-19, njoftoi sot Instituti Kombëtar i Shëndetit “Robert Koch”.
Ky klasifikim nënkupton veçanërisht kontrolle në kufi, një periudhë karantine për hyrjet në Gjermani dhe një test negativ jo më të vjetër se 48 orë.
Deri më tani, vetëm departamenti kufitar i Moselës ishte territori francez i klasifikuar nga Gjermania fqinje si një zonë “me rrezik të lartë”, për shkak të një qarkullimi të lartë të varianteve COVID-19.
“Kur shikojmë shkallët e incidencës është thjesht një domosdoshmëri (…) një proces praktikisht automatik”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë shtypi në Berlin në lidhje me shpalljen e Francës si zonë me rrezik.
Shkalla e incidencës, që mat numrin e infeksioneve për 100 000 banorë gjatë shtatë ditëve të fundit, në shumë departamente franceze tejkalon pragun prej 200.
Çështja tani është nëse vendimi gjerman do të çojë apo jo në zbatimin e kontrolleve të rrepta kufitare, siç ka bërë kohët e fundit Gjermania me Poloninë dhe para kësaj me Republikën Çeke dhe Tirolin austriak./bw