Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme që të nis punën me të filluar dimri.
Qytetarët shpeshherë janë interesuar nëse do të ketë ulje të çmimit të ngrohjes dhe nëse lagjja e tyre do të përfshihet në rrjetin ngrohës të sistemit të koogjenerimit të cilin e aplikon Ndërmarrja.
Naser Canolli, kryshef i Ndërmarrjes “Termokos” ka thënë për lajmi.net se çmimet janë ato të nëjta më një vit më herët dhe se ato i caktojnë ata.
“Se bashku me palët, “Termokos” është përgatitur që të startojë me 15 tetor për sezonin ngrohës, por a do të lëshohet a jo më këtë datë, kjo varet edhe nga temperaturat që do të jenë. Çmimi për konsumatorët nuk ka lëvizur. Është ai që e ka caktuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE). Çmimet ndahen në dy grupe, grupi për konsumatorë privat dhe grupi për lokalet afariste. Për konsumatorët privat sillet 0.72 cent për m2 plus tvsh, për afarizëm 0.97 cent”, tha Canolli për lajmi.net.
Kryeqytetasit edhe në këtë vit pritet që të bëjnë zgjidhje alternative për ngrohje ngase jo të gjithë e kanë luksin për të shfrytëzuar shërbimet e “Termokos”, ngrohje e cila gjatë sezonit nuk ndalet për 24 orë. Megjithatë, Canolli shprehet optimist se nga ky vit do të lëvizin gjërat për zgjerimin e rrjetit në disa pjesë të Prishtinës.
“Nga fillimi kemi informuar se Komisioni evropian ka ndarë mjete në vlerë prej 8.3 milionë euro për zgjerimin e rrjetit ngrohës në Prishtinës. Procedurat e brendshme të Komisionit Evropian për momentin janë në procedurën e shprehjes së interesit të kompanive. Nuk e di sa kompani janë në procedurë, por në momentin që ata e marrin një vendim na njoftojnë, por gjasat janë se brenda këtij viti të nënshkruhet kontrata në mes të Komisionit Evropian dhe kompanisë që do të kryej zgjerimin e rrjetit”, shtoi tutje Canolli.
Kryeshefi thotë se prioritet do tu jepet zonave brenda qytetit, por shprehet se ende nuk mund të flitet konkretisht pa u kryer të gjitha konsultat me Komisionn Evropian.
“Pa na ardhur dokumenti zyrtar nuk mund të flasim për ndonjë prioritet të lagjeve, i cili ka paraparë që në bazë të kapaciteteve ekzistuese që kemi nga KEK-u deri në “Termokos”. Dhe ne nuk mund të zgjerohemi më shumë se sa kemi kapacitete. Që të mos hymë në përqindje, aktualisht nga KEK-u nuk ka kapacitete as për mbulimin e gjysmës së lagjeve. Ne i kemi në dispozicion 140 megavat orë të energjisë termike, i shfrytëzojmë 95 dhe diku pak më shumë se 40 megavat i kemi në dispozicion. Në do të mundohemi që t’i japim prioritet këtyre lagjeve që janë brenda qytetit, si Ulpiana, Qendra, Kalabria, por edhe Rrugën B”, shtoi ai.
Faza e tretë e Projektit të koogjenerimit, që ekskluzivisht i dedikohet zgjerimit të rrjetit të ngrohjes është e planifikuar për vitet 2017-2018. Për zgjerim të rrjetit Komisioni Evropian ka ndarë 8.3 milionë euro, ndërsa Qeveria Gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim 5 milionë euro, 250 mijë euro nga Komuna e Prishtinës dhe 250 mijë euro nga Termokos.
Zgjerimi i rrjetit, në rrjetin e ngrohjes do të kyçen fillimisht disa objekte të vjetra kolektive banesore, por sipas Canollit do të përfshihen edhe disa objekte kolektive të reja, për gjatë Rrugës B, po Kalabri.
Dhe, pavarësisht se qytetarët e presin me pa durim sistemin ngrohës të, ata që kanë banesa të reja mund të jenë pak më të dëmtuar në çmim . Kjo për faktin se përllogaritja e metrave katrorë do të bëhet sipas kontratave, e që sipërfaqja e banesave të reja e shfrytëzueshme nuk është e llogaritur në neto por në bruto. Kjo nënkupton edhe pagesë për ngrohje edhe për ballkonet, në rastet kur banesat e reja kanë një ose disa të tillë. Gjithashtu një përllogaritje e tillë, duke pasur parasysh përllogaritjet gjatë shitjes së tyre, një pagesë e tillë do të bëhet edhe për muret e banesës. Rrjedhimisht në faturën e ngrohjes qytetarëve do tu llogaritet edhe ballkoni dhe një pjesë e mureve të banesës.
Megjithkëtë, ZRre, deri atëherë mund të dalë me ndonjë vendim tjetër.