Pas një dështimi të Ushtrisë së Federatës së Rusisë në Ukrainë, propaganda e Kremlinit po bën të pamundurën që të lëshojë gënjeshtrën e radhës për numrin e mercenarëve të angazhuar nga gjithë bota.
Këtë dezinformatë po e ndihmojnë edhe qarqet serbe dhe malazeze që kanë lidhje me strukturat pro-ruse.
Milan Knezheviq nga Fronti Demokratik malazez në një shkrim në Twitter thotë se, nga tërë bota në Ukrainë janë angazhuar rreth 7 mijë mercenarë.
I njohur për bindjet e tij djathtiste dhe lidhjet me eksponentë ekstremistë nga Moska, Knezheviq në listën e publikuar thekson se nga Kosova janë angazhuar 156 ushtarë, por që deri më tani janë vrarë 60 prej tyre.
Përveç Kosovës, aty thuhet se janë vrarë edhe 40 ushtarë nga Shqipëria, 19 nga Maqedonia e Veriut dhe 51 nga Kroacia.
Se propaganda ruse nuk ka të ndalur, tregon fakti që qysh në fillimet e agresionit ushtarak në Ukrainë, i pari i diplomacisë së Moskës, Sergei Lavrov pati deklaruar se nga mercenarë nga Kosova dhe rajoni po angazhohen në frontet e luftës.
Mirëpo, një gjë e tillë ishte mohuar kategorikisht nga të gjitha institucionet e rajonit, e veçanërisht të Kosovës.
Knezheviq është njëri nga pjesëmarrësit në grusht-shtetin e ndihmuar nga dy agjentë të GRU-së ruse – Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov (Moiseev) – për ta rrëzuar qeverinë demokratike të Milo Gjukanoviqit në tetor të 2016-së.
Prokurorët malazezë kishin gjetur se komplotistët kanë pasur mbështetjen e Kremlinit për të vrarë kryeministrin e atëhershëm dhe për të bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO.