Ballina Artikuj Çlirimi i Sirisë: Sfida e fazës së ardhshme dhe përgjegjësitë

Çlirimi i Sirisë: Sfida e fazës së ardhshme dhe përgjegjësitë

Pas shumë vite vuajtjesh nën sundimin e tiranisë, populli sirian – me ndihmën e Allahut – arriti të çlirojë vendin e tij nga regjimi i Asadit, i cili kishte mbajtur pushtetin për dekada të tëra. Kjo fitore e madhe e vendos Sirinë në prag të një faze të re që kërkon përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për të përmbushur aspiratat e popullit që ka bërë sakrifica të mëdha për liri dhe dinjitet.

Domosdoshmëria e unifikimit të rradhëve

Hapi i parë vendimtar në këtë fazë është unifikimi i fraksioneve brenda Sirisë. Përçarja dhe konfliktet mes forcave të ndryshme përbëjnë një rrezik serioz për të ardhmen e vendit, pasi ndasitë mund të çojnë në kaos të sigurisë që pengon procesin e rindërtimit. Fraksionet duhet të kuptojnë se fuqia e Sirisë qëndron në unitetin e saj dhe se bashkëpunimi i ndërsjellë është rruga e vetme për të përballuar sfidat e ardhshme.

Hartimi i kushtetutës së re

Siria duhet të ecë drejt hartimit të një kushtetute të re, e cila bazohet në sheriatin islam si burim kryesor, duke marrë parasysh të drejtat e të gjitha grupeve të shoqërisë. Kjo kushtetutë do të jetë korniza ligjore që rregullon marrëdhëniet midis qytetarëve dhe institucioneve të shtetit, duke siguruar drejtësi, barazi dhe mbrojtje të lirive. Arritja e kësaj kërkon një dialog kombëtar gjithëpërfshirës ku të marrin pjesë të gjitha palët e rëndësishme, për të garantuar një konsensus të vërtetë kombëtar.

Bashkëpunimi për përballimin e rreziqeve të afërta

Megjithëse regjimi ka rënë, Siria ende përballet me rreziqe të mëdha nga lindja dhe perëndimi. Ndërhyrjet e huaja dhe ambiciet rajonale të disa fuqive synojnë të minojnë stabilitetin e vendit. Ndër këto rreziqe janë ambiciet izraelite dhe ato iraniane, të cilat përbëjnë një kërcënim ekzistencial për Sirinë.

Izraeli po përpiqet të shfrytëzojë situatën aktuale për të arritur përfitime strategjike, përfshirë forcimin e kontrollit mbi Lartësitë e Golanit të pushtuara dhe zgjerimin e ndikimit të tij në rajon. Siria duhet të jetë e gatshme për të përballuar këtë kërcënim duke ndërtuar një ushtri kombëtare të fortë dhe duke rivendosur sovranitetin mbi territoret e saj.

Nga ana tjetër, Irani po punon për të forcuar ndikimin e tij në Siri duke mbështetur milicitë aleate dhe duke konsoliduar praninë e tij ushtarake dhe politike. Ky ndërhyrje jo vetëm që kërcënon sovranitetin e Sirisë, por gjithashtu thellon përçarjet e brendshme dhe pengon përpjekjet për të arritur stabilitetin.

Përfshirja e Sirisë në botën arabe: Një domosdoshmëri strategjike

Në këtë fazë delikate, është thelbësore të punohet për rikthimin e Sirisë në rrethin e saj natyror arab. Izolimi i Sirisë nga mjedisi i saj arab e bën atë të cenueshme ndaj dominimit rajonal dhe ndërkombëtar dhe mund ta shndërrojë atë në një shtet të varur nga fuqi të huaja si Irani ose Rusia.

Shtetet arabe duhet të marrin përgjegjësinë për Sirinë duke mbështetur përpjekjet për rindërtim, duke ofruar ndihmë ekonomike dhe humanitare, si dhe duke kontribuar në stabilitetin politik. Përfshirja e Sirisë në botën arabe siguron ruajtjen e identitetit dhe pavarësisë së saj, duke e mbrojtur atë nga shndërrimi në një arenë konflikti mes fuqive rajonale dhe ndërkombëtare.

Fillimi i punës së vërtetë

Çlirimi i Sirisë nga shtypja është vetëm hapi i parë. Tani fillon detyra më e vështirë: rindërtimi i shtetit dhe institucioneve të tij. I gjithë fokusimit duhet të jetë te:

Rindërtimi: Restaurimi i infrastrukturës dhe shërbimeve bazë për qytetarët.

Siguria: Garantimi i paqes dhe stabilitetit në të gjithë vendin.

Pajtimi kombëtar: Kapërcimi i plagëve të luftës dhe krijimi i një fryme uniteti mes grupeve të ndryshme.

Përfundim

Përgjegjësia për ndërtimin e një Sirie të re bie mbi çdo individ të shoqërisë siriane. Uniteti dhe bashkëpunimi janë çelësi për kapërcimin e sfidave dhe realizimin e ëndrrës për një atdhe të lirë dhe të begatë, ku të gjithë jetojnë me dinjitet dhe drejtësi. Kjo duhet të bëhet duke ruajtur distancën nga çdo lloj ndikimi i huaj dhe duke forcuar rolin e Sirisë si një shtet i pavarur dhe i fortë brenda botës arabe.

Burimi: Aljazeera.net

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version