Vendimi i autoriteteve të Venecias që të qëlloj me armë personat që thërrasin “Allahu Akbar” nëse nuk përgjigjen pas tri thirrjeve ka bërë që të reagojë kryemami i myslimanëve në Maqedoni, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Ef. Rexhepi.
Ai në një shkrim të tijin autorial e ka reaguar ashpër duke thënë se një vendim i tillë mund ta vrasë njeriun por jo edhe fuqinë e Allahut.
Më pas ai ka shtruar një pyetje për autoritetet e Evropës duke iu thënë se çka do të ndodhte nëse një qytet me shumicë myslimane do të ndalonte thirrjen “Në emër t’Atit e t’ Birit e t’Shpirtit të Shenjtë”
Sipas tij, vendimit të pushtetarëve në Venedik vetëm duhet ti përgjigmeve me një thirrje të përbashkët: “Allahu Akbar! Urdhëroni e na vritni për besimin dhe bindjen tonë se asgjë dhe askush nuk është më i madh se Zoti, por keni kujdes sepse kësaj gjëje, përveç islamofobisë së shfrenuar, i vie edhe era mosbesim dhe do të thotë që ju nuk besoni se Zoti është më i Madhi”.
Ja shkrimi i plotë i tij me titull “Njerëzit mund të vriten, tekbiri jo!”.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
Kur të gjithë muslimanët e botës po bëhen gati të kremtojnë Kurban Bajramin, këtë festë të dashurisë dhe sakrificës ndaj Krijuesit, të respektit për njeriun, të dhembjes për skamnorin e bonjakun, re të zeza po duken në horizont dhe po e shqetësojnë shpirtin e çdo pjesëtari të Islamit.
Me shqetësim të veçantë lexova një ditë se pushtetarët në Venedik, në atë margaritar të arqitekturës botërore, paskan sjellë një vendim makabër për të vrarë secilin që publikisht do dëshmojë se Allahu është më i madhi. Pra, paskan vendosur të vrasin çdokend që do thotë “Allahu Akbar”.
Disi paralelisht me këtë vendim kriminel dhe diskriminues deri në palcë, filluan të arrijnë informata dhe pamjet e tmerrit nga masakrat në Arakan të Minamarit ndaj muslimanëve Rohingya, Po flitet për tremijë të vrarë vetëm ditëve të fundit dhe mbi tridhjetëmijë nga fillimi i spastrimeve. Tmerr!
Në emër t’Atit e t’Birit e Shpirtit t’Shenjtë
Jam i vetëdijshëm se tekbiri është keqpërdorur shumë viteve të fundit nga ekstremistë dhe terroristë të cilët kanë vrarë e u kanë prerë kokat njerëzve të pafajshëm duke bërtitur se “Allahu është më i madhi”. Por, mbetem i bindur se përdorimi aq brutal i tekbirit kurrësesi nuk e ndryshon bindjen e besimtarëve, qofshin ata edhe të krishterë, se Zoti është më i Madhi.
Kur janë muslimanët në pyetje, e kuptuar dhe e përdorur drejtë, kjo frazë ekziston që ata të përkujtojnë veten se të gjitha fenomenet, dukuritë dhe konceptet me të cilat ndeshen në jetën e përditshme e të cilat ju duken të mëdha, në fakt janë shumë të vogla përpara Madhërisë së Allahut. Kjo shprehje përdoret nga dhjetëra herë në ditë nga çdo musliman, me atë thirrje muslimanët ftohen në namaz pesë herë në ditë duke i përkujtuar se lutjet që i drejtohen Allahut janë më të rëndësishme se çdo gjë e kësobotshme.
Në luftë, muslimanin e udhëheq bindja se Allahu është më i madh se frika, se armiku dhe armatimi që e posedon ai. Pejgamberi Muhamed a.s. në luftën e Bedrit është nisur duke i nxitur luftëtarët e vetë me po atë thirrje.
Kur është në ndonjë hall ose kur ka ndonjë gëzim në shtëpi, muslimani e përkujton veten se Allahu është më i madh.
Pra, bëhet fjalë për një shprehje që është krejtë e rëndomtë për muslimanët dhe ata që i japin kuptim dhe konotacion negativ asaj, o janë të painformuar, o janë qëllimkëqinjë. Tekefundit, një frazë krejtë identike përdoret edhe nga të krishterët arabishtfolës, edhe ata thonë “Allahu Akbar”.
Sëkëndejmi, vendimit të pushtetarëve në Venedik vetëm mund t’ju kundërpërgjegjemi edhe unë, edhe të gjithë muslimanët e botës, me një thirrje të përbashkët: Allahu Akbar! Urdhëroni e na vritni për besimin dhe bindjen tonë se asgjë dhe askush nuk është më i madh se Zoti, por keni kujdes sepse kësaj gjëje, përveç islamofobisë së shfrenuar, i vie edhe era mosbesim dhe do të thotë që ju nuk besoni se Zoti është më i Madhi.
Nga ana tjetër, vetëm sa për të forcuar absurditetin e këtij vendimi, po e shtroj një pyetje retorike: Çfarë do të ndodhte nëse në Stamboll, Kairo a gjetiu sillet vendimi se duhet vrarë çdokend që do bërtasë publikisht-“Në emër t’Atit e t’ Birit e t’Shpirtit të Shenjtë”, që është definicion i krishterizmit dhe akt i dëshmisë që dikush i përket krishterizmit. Po ju siguroj,do të ndodhte hataja dhe do ngritej peshë dynjaja. Por, ne që besojmë se Allahu është më i madhi nuk i vrasim njerëzit që dëshmojnë besimin dhe përkatësinë e tyre fetare.
Ndryshe, sa për t’i përkujtuar zotërinjtë nga Venediku, po them se nëse vendimi i tyre, helbete, ka të bëjë me terroristët që aktivizojnë bomba, janë të kotë të gjithë snajperistët e botës. Ata që kanë vendosur të vetëflijohen, siç kemi parë, për fat të keq, në shumë raste, e aktivizojnë bombën në të njejtën kohë kur e thonë tekbirin. Pra, ata s’presin që dikush t’i vrasë, andaj terrorizmin duhet parandaluar me veprime më të hershme, me metoda politike, ndoshta edhe me dialog.
Një lament për Mianmarin
Aktualisht, në Arakan të Mianmarit po ndodhë një masakër e pa parë ndaj muslimanëve, po vriten fëmijë, gra, pleq e burra të rinjë, të pambrojtur, vetëm sepse janë muslimanë. Raportet që po vijnë nga organizatat e ndryshme dhe video xhirimet që po qarkullojnë në internet, janë shokuese. Zëdhënësja e Këshillit Evropian për muslimanët Rohingya, Anita Schug deklaroi se në zonën e Arakanit në tre ditët e fundit në sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe të murgjëve budistë, janë vrarë në mes dy dhe tre mijë muslimanë.
Dhe, muslimanët e Minamrait po vazhdojnë të vriten përpara syve të botës që po heshtë dhe me atë heshtje po na e përkujton Srebrenicën, Reçakun, kolonat e ikanakëve kosovarë. Fakti se vetë OKB ka lëshuar një raport në të cilin thuhet se kanë gjetur foshnja dhe fëmijë të therrur me thika gjatë “operacioneve të pastrimit”, alarmon dhe ngritë dilemma të shumta. Pse lejohen bestialitete të këtilla dhe si është e mundur që ato akte të dhunës të bëhen, mes tjerash, nga murgj budistë të cilët proklamohen kinse si paqedashës?
Në Mianmar muslimanët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë (rreth 2.5 milionë) dhe po sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve të Kombeve të Bashkuara, muslimanët Rohingya janë pakica kombëtare më e rrezikuar në botë. Kam frikën se një mosinteresim i këtillë i botës rrezikon edhe shumë gjak dhe shumë viktima të tjera muslimane në këtë shtet diktatorial dhe diskriminues ndaj një pjese të shtetasve të vetë. Kam frikën se 100.000 refugjatët që janë të strehuar për momentin në Bangladeshin fqi, me kohë do rritet dhe do shkaktohet krizë e përmasave shumë më të mëdha.
Nuk kam fjalë për muslimanët Rohingya të Mianmarit, kam vetëm dhembje në shpirt me të cilin po e pres Kurban Bajramin dhe shpresë se faktori ndërkombëtar, megjithatë do kthjellet e do e ndalojë atë që po ndodhë. Shpresoj shumë se edhe shtetet muslimane do e shfrytëzojnë ndikimin e vetë për t’i ndihmuar pakicës muslimane sepse këtë gjë e kanë obligim.
Dhe, po! Tanket dhe helikopterët ndoshta do të vrasin ende muslimanë të pafajshëm, ama tekbirin nuk mund t’a vrasin. Muslimanët Rohingiya do thërrasin “Allahu Akbar”, të bindur se Zoti është më i madh se vrasësit e tyre, se hallet dhe problemet me të cilat po ndeshen./Mesazhi/