Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Civilët e Halepit thirrje për ndihmë

Civilët e Halepit thirrje për ndihmë

Civilët e Halepit të cilët ndodhen nën bombardimet intensive të regjimit të Asadit, forcave ruse dhe militantëve shitë të mbështetur nga Irani, bëjnë thirrje për ndihma humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbrëmjen e shkuar numri i viktimave që nga 15 nëntori arriti në 828. Ndërkohë bombardimet intensive ende vazhdojnë.

Forcat opozitare për shkak të bombardimeve të rënda të regjimit u detyruan të lënë rreth 2.5 kilometra nën kontrollin e regjimit të Asadit dhe militantëve shitë.

Opozitarët kontrollonin 45 kilometra hapësirë më 15 nëntor, ndërkohë që brenda 23 ditësh ata kanë humbur 65 për qind të territorit të kontrolluar dhe janë tërhequr në një hapësirë prej 16 kilometrash.

Në një deklaratë për AA, drejtori i Mbrojtjes Civile në Halep, Necip Ensari, thotë se dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur në vendet e kontrolluara nga regjimi, ndërsa rreth 240 mijë banorë gjenden në zonat e kontrolluara nga opozitarët.

Ndërsa komandanti i Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), Muhammed Shejh, thotë se kanë mobilizuar meshkujt nga mosha 18 vjeç deri në moshën 40 vjeç dhe i kanë dërguar ata në zonat e luftimit. Ai tregon se kjo gurpmoshë preferon të qëndrojë në rajonet e kontrolluara nga opozitarët pasi regjimi i Asadit i merr ata pa dëshirë në ushtri.

Civilët e Halepit për shkak të pamundësisë për të telefonuar i kanë dërguar Anadolu Agency (AA) një incizim audio ku bëjnë thirrje për lutje dhe ndihmë.

“Ju bëj thirrje si një banorë turkmen i Halepit. Rreth 200 mijë persona gjenden të rrethuar këtu. Regjimi i Asadit dhe forcat ruse do të bombardojnë të gjithë qytetin. Nëse Halepi bie do ti thuhet beli umetit. Nuk i kemi prerë shpresat Zoti si rrjedhojë e lutjeve tuaja të sinqerta. Falni dy rekatë namaz sonte për Zotin, për Halepin dhe lutuni për ne”, thotë Hasan Bozan, një banorë në lindje të Halepit.

Ndërsa një tjetër qytetare me emrin Hatixhe, thotë: “Regjimi ka bombarduar shtëpitë tona. Nuk na ka mbetur asnjë gjë. Djali im është i sëmurë dhe nuk kam fuqi ti shërbej. Bota të më dëgjojë. Lutuni dhe na ndihmoni.”

Ndërsa Muhammed Lijab, një tjetër qytetarë shprehet: “Kam dy fëmijë. Nuk arrij të gjej ilaçe dhe ushqim për ta. Njerëzit këtu po vdesin në mjerim. Një i afërm i imi ndërroi jetë për shkak të trombozës si pasojë e bombardimeve. Nuk kemi ngrënë asnjë gjë prej 15 ditësh.”

Ndërsa një tjetër qytetar nga rajoni Kellese ku luftimet momentalisht janë duke vazhduar, Salih Omer, thotë: “Po ju flas në mesin e zhurmave të bombave. Regjimi i Asadit bombardon me çdo gjë këtu. Ka shumë të vdekur dhe të plagosur. Momentalisht ka shumë njerëz nën gërmadha që presin të nxirren. Rrugët janë të mbushura me trupa njerëzish të vrarë. Pas marrjes nën kontroll nga regjimi ndërmarrja e ujit ndërpreu ujin. Nuk ka furra dhe spitale. Halepi Lindor është duke përjetuar një masakër.”

Kriza e qindra mijërave

Qyteti i Halepit është më i madhi në Siri pas Damaskut, dhe qendra e tij gjendet rreth 40 kilometra larg kufirit të Turqisë. Ushtria e regjimit, forcat ajrore ruse dhe militantët shitë të mbështetur nga Irani që prej 15 nëntorit bombardojnë nga toka dhe ajri lindjen e këtij qyteti, rajone këto që ndodhen nën kontrollin e forcave opozitare të Sirisë. Ndërsa Rusia thotë se nuk është pjesë e sulmeve ajrore në Halep. Ndërsa përgjimet e opozitarëve tregojnë që rusët janë të pranishëm edhe në sulmet e artilerisë së rëndë.

Për shkak të sulmeve intensive në lindje të Halepit, qindra mijëra njerëz ndodhen nën kërcënimin serioz të vdekjes, urisë, etjes, etj. Prej 3 javësh në këtë rajon nuk ka asnjë spital të hapur. Furrat, shkollat dhe institucione të tjera të cilat i vijnë në ndihmë komunitetit ndodhen të mbyllura për shkak të sulmeve të regjimit. Në qytet mungon edhe komunikimi për shkak të bombardimeve të antenave.

Exit mobile version