Raportohen të paktën 60 civilë të vrarë dhe qindra tjerë të plagosur gjersa Pentagoni konfirmon se 12 ushtarë amerikanë vdiqën në dy shpërthime.
Të paktën 60 afganë dhe 12 trupa amerikanë u vranë dhe qindra u plagosën, thanë zyrtarët afganë dhe amerikanë, pasi dy shpërthime të fuqishme ndodhën jashtë aeroportit ndërkombëtar të Kabulit, në mes përpjekjeve të mëdha për evakuime nga Afganistani.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se një shpërthim ndodhi pranë Portës Abbey të aeroportit dhe tjetri afër Hotel Baron aty pranë. Dy zyrtarë amerikanë thanë se të paktën një nga shpërthimet duket se ishte nga një bombë vetëvrasëse.
“Ne mund të konfirmojmë se shpërthimi në Portën Abbey ishte rezultat i një sulmi kompleks që rezultoi në një numër viktimash amerikane dhe civile,” tha Kirby në Twitter.
“Ne gjithashtu mund të konfirmojmë të paktën një shpërthim tjetër në ose afër Hotel Baron, një distancë të shkurtër nga Porta Abbey.”
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për njërin sulm jashtë aeroportit të Kabulit, tha Agjencia e tyre e Lajmeve Amaq në kanalin e saj në Telegram.
Gjenerali Kenneth McKenzie, komandant i Komandës Qendrore të SHBA, tha se forcat amerikane po koordinohen me talebanët për të adresuar kërcënimin “jashtëzakonisht real” të sulmeve nga ISIS-K, dega e ISIL-it në Afganistan. /mesazhi