City në garë për portierin Ramaj

Pas Chelseat edhe një ekip tjetër nga Premier League është futur në garë për shërbimet e portierit Diant Ramaj.

Bëhet fjalë për kampionin e Anglisë, Manchester Cityn që është gati të paguajë 20 milionë euro për kartonin e tij.

Ramaj pritet këtë verë të largohet nga Ajaxi, ndërsa te City po shihet si zëvendësim ideal për brazilianin Ederson, i cili do të transferohet në Arabinë Saudite.

Ramaj është pjesë e Ajaxit prej verës së shkuar kur iu bashkua nga Eintracht Frankfurti dhe me gjigantin holandez ka kontratë deri në verën e vitit 2028.

Sezonin e shkuar, 22-vjeçari ka regjistruar 33 paraqitje në të gjitha garat për skuadrën e Ajaxit.

Krahas skuadrave nga Anglia, interesim për transferimin e Ramajt kanë shprehur edhe ekipet nga La Liga e Spanjës.